Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk i kishte informuar autoritetet kroate zyrtarisht për vizitën e tij në Kroaci të dielën e 17 korrikut, raporton Index.hr.
Madje, kreu i qeverisë kroate, ia ka kujtuar Vuçiç-it agresionin e ushtruar në Kosovë, në vitet e 90-ta, pasi mediat në Serbi raportuan se ekzekutivi i Kroacisë janë “Ustash”, duke iu referuar formacionit fashist i cili ka drejtuar Kroacinë nën mbrojtjen e forcave naziste.
“Ju keni dikë që është president i vendit dhe duhet të kujdeseni për këtë, pavarësisht se sa të vështira janë marrëdhëniet dhe ju kujtoj agresionin e ‘Serbisë së Madhe’ ndaj Sllovenisë, Kroacisë dhe Kosovës. Kjo nuk ishte 150 vjet më parë, por vetëm rreth 30 vjet më parë, vendoseni në kontekst, atëherë gjërat bëhen më të qarta”, tha Plenkoviç.
Ai tha se institucionet kroate kanë dërguar një mesazh të qartë se nuk ishte koha për një vizitë të tillë e sidomos pa një njoftim zyrtar.
“E morëm vesh se ka dëshirë për të ardhur të dielën, por pa njoftim zyrtar. Pavarësisht se sa me maturi dëshiron ta bëjë dikush, ajo ka pasoja te nikoqirët. Ne thamë se nuk ishte koha e duhur dhe as metodologjia e duhur për të. Kur të vijë momenti, mund të flasim për të. Kroacia është gjithëpërfshirëse dhe tolerante. Sot për herë të parë pashë në mediat serbe se ne jemi “qeveri e Ustash-ve”, shtoi Plenkoviç.
Kreu i qeverisë kroate theksoi se shtetet duhet ta trajtojnë njëra tjetrën me respekt.
Ai dha disa leksione të protokollit homologut të tij duke i thënë se “kur dikush vjen për vizitë, fillimisht telefonon dhe prezantohet”.
Ky reagim i Plenkoviç-it erdhi pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi se nuk ka asnjë vend në ish-Jugosllavi si Janovaci, kur flitet për shfarosjen e popullit serb.
“Doli që unë doja të shkoja në qytetin e ndaluar, ose serbët mund të shkonin atje vetëm nga viti 1941 deri në 1945”, tha ai.