Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për fjalimin e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës.
Kurti ka thënë se paraqitja e Ramës në KE “nën petkun e “patriotit” të rastit tregon vetëm dyfytërsinë e tij dhe sërish për t’ju çitur hi syve shqiptarëve të Kosovës”.
Teksa ka publikuar një fotografi të Ramës në Beograd duke ngre dolli me Vuçiqin, Kurti i ka thënë kryeministrit shqiptar se “nuk mund të jesh vëlla me Vuçiqin edhe të jesh me UÇK-në!”, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë i Kurtit në Facebook:
Zig zag politika e Edvin Ramës!!!
Pse bash tani ky zgjim “patriotiķ” i Edvin K. Ramës vetëm 1 ditë para se BE-ja të marrë vendimin për Liberalizimin e Vizave për qytetarët e Kosovës?!
Fakt është se raporti i Dik Martit është një gënjeshtër e sajuar dhe ne të gjithë e kemi kundërshtuar që nga fillimi kur është publikuar. Si duket atëkohë Edvin K. Rama nuk i interesonte kjo punë sepse atëhere nuk i sillte pikë politike.
Nuk duhet harruar se askush më nuk e përmend Raportin e Dik Martit, të dyshuarit në Hagë nuk do të akuzohen dhe as nuk do të dënohen në bazë të këtij Raporti.
Çfardo ndërhyrje apo tentimi për ta çbërë Gjykatën Speciale në Hagë në këtë fazë, do ti dëmtonte edhe më shumë të dyshuarit dhe Imazhin e Kosovës, kurse ndërkombtarët Gjykaten Speciale në Hagë kurrë nuk do të lejonin që të zhbëhet.
Paraqitja e Edvin K. Rames para Këshillit të Evropës nën petkun e “patriotit” të rastit tregon vetëm dyfytërsinë e tij dhe sërish për t’ju qitur hi syve shqiptarëve të Kosovës.
– Kur Kosova po kërcënohet me luftë nga vëllai i Rames, Vuçiq – Edvin Rama hesht!
– Kur Kosova kërkon që Serbia të dënohet për Gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës – Edvin K. Rama gjenocidin serb e quan “rrëmujë”!
– Kur projekti Serbo-Rus “Ballkani i Hapur” e rrezikon ekzistencën e shtetit të Kosovës – Edvin K. Rama është promovuesi më i madh i këtij projekti!
– Kur në Kosovë ende nuk është tharë gjaku i fëmijëve, nanave, motrave dhe vëllezërve tanë të cilët u masakruan nga dora mizore serbe – Edvin K. Rama në mes të Beogradit ngre dolli me gjakun e tyre me ish ministrin e propagandës të kasapit të Ballkanit Millosheviqit!
Edvin K. Rama nuk mund të jesh vëlla me Vuçiqin edhe të jesh me UÇK-në!