Policët në Shkup heqin posterat për Çamërinë, organizatori: Urojmë që mos ndikojë në marshim

Në Maqedoninë e Veriut policia ka hequr disa banderola në Shkup që ishin vendosur në kuadër të fushatës “Të dua Çamëri”. Mediat shqiptare në Maqedoni shkruajnë se për këtë organizim nëpër çarshinë e Shkupit dhe në pjesë tjera të qytetit janë vendosur banderola me këtë mbishkrim me qëllim përkujtimin e të drejtës së çamëve për tokën e tyre.

Erduan Dauti, njëri prej organizatorëve të këtij manifestimi tha se shpreson që ky veprim nga institucionet përkatëse të mos ndikojë tek qytetarët për të mos u bashkuar në marshin e paqes, që do të mbahet ditën e enjte.

“Njëra nga aktivitetet që ka qenë, ishte edhe zbukurimi apo vendosja e banderolave nëpër çarshi të Shkupit dhe nëpër disa vende në Shkup, por fatkeqësisht nga ana e policisë ato banderola në disa vende janë larguar edhe pse për këtë organizim.

Ne kemi marrë edhe leje paraprake nga ana e organeve kompetente por fatkeqësisht siç duket dikujt këto banderola i kanë penguar dhe i kanë larguar, por shpresojmë se kjo nuk do të ndikoj, dhe ditën e enjte qytetarët në mënyrë paqësore t’i bashkëngjiten këtij marshi” deklaroi Erduan Dauti.

Publicisti Kim Mehmeti thotë se policia maqedonase ka hequr mbishkrimet “E duam Çamërinë” në Shkup, pa asnjë sqarim. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Mehmeti shprehet se shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kuptojnë se nuk kanë problem me anti-shqiptarinë institucionale por me ata që i quan “shkije” sepse duan të ndërrojnë ngjyrën nga e kuqja në të gjelbër si të ishin kameleonë.