Njësiti i Policisë së Kosovës për patrullim ujor sot ka filluar patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka thënë se pjesë e patrullimit është edhe e gjithë hapësira e Liqenit të Ujmanit.
“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë”, shkroi Sveçla.