Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për një vizitë zyrtare në Portugali ku është takuar me zyrtarët e lartë të shtetit iberik. Shefja e shtetit ka dhënë një intervistë për gazetën vendore “Diario de Noticias” ku ka folur për situatën në Kosovë, raportet me Serbinë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
E pyetur se si e përshkruan situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, Osmani ka thënë se situata është e komplikuar shkaku i fqinjit verior që ka synime destabilizuese.
“Është një situatë e komplikuar, fatkeqësisht, e krijuar nga fqinji ynë verior, me qëllime destabilizuese jo vetëm kundër Kosovës por poashtu edhe në Bosnje, Mal të Zi dhe shtete tjera në rajon. Por pavarësisht sulemeve Kosova gjithmonë ka qenë paqësore dhe fqi konstruktiv. Edhe pse ka Kosova ka dëshmuar angazhimin për dialog me Serbinë, Serbia ka bërë të kundërtën. Vazhdon të ndërtojë një kampanjë agresive kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, vazhdon të abuzojë me dialogun duke shpërndarë informacione të gabuara tek disa shtete të largëta se dialogu është i përqëndruar në statusin e Kosovës gjë që s’është e vërtetë dhe ka kryer disa iniciativa destabilizuese me ndihmën e Rusisë, duke mbajtur tensionet dhe konfliktet aktive dhe duke e lënë rajonin jashtë integrimit evropian, kundër asaj çfarë ne duam dhe mbrojmë. Pavarësisht gjithë kësaj, përpjekjet tona janë të sinqerta, ne jemi shumë të sigurt në synimet tona, ne flasim sinqerisht me miqtë tanë në BE, SHBA dhe më gjerë”, ka thënë Osmani.
Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe kërkesës për njohje nga India, Osmani tha se e di që vendimet në shtete e mëdha si India marrin kohë dhe për këtë është optimiste.
“Unë jam optimiste, por në të njëjtën kohë jam shumë e duruar, sepse e kuptoj që me vende si India gjërat nuk janë aq të shpejta sa do të donim. Kur bëhet fjalë për t’u bërë anëtare e OKB-së, ne jemi njohur nga shumica e anëtarëve të BE-së, por problemi është me Rusinë, e cila po kërcënon të përdorë të drejtën e vetos. Fatkeqësisht për shkak të mungesës së reformave brenda sistemit të BE-së, vende si Rusia bllokojnë realitetet në mbarë botën, bllokojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, bllokojnë një sërë vendimesh që Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet t’i kishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por në rastin e Kosovës, ekziston një argument edhe më i fortë që OKB-ja t’i mbajë krahët hapur ndaj nesh, që është mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku pata fatin të përfaqësoj vendin tim përkrah avokatëve të tjerë. GJND-ja ishte shumë e qartë kur tha se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë ishte shumë e qartë duke thënë se nuk mund të krahasohet me synimin e territoreve të tjera nëpër botë për t’u bërë e pavarur”, ka thënë ajo për mediumin portugez.
Ajo ka thënë se kritikat për mosrespektim të minoriteteve në Kosovë nuk qëndrojnë pasi minoritetet gëzojnë të drejta dhe mbrojtje më shumë se çdo vend tjetër i botës dhe se Kosova njihet për tolerancën fetare.
“Këto kritika nuk janë të bazuara në realitet dhe për ata që kanë dyshime ju ftoj të vini në Kosovë dhe ta shihni vetë. Unë do të ndaj disa fakte: Kosova ka një nga standardet më të larta të mbrojtjes së pakicave etnike të përcaktuara në Kushtetutë, dhe që nuk gjendet askund tjetër, në BE apo jashtë saj. Minoritetet kanë një vend të garantuar në parlament, janë të përfaqësuara në të gjitha institucionet, kanë të drejta që nuk gjenden në asnjë kushtetutë tjetër evropiane. Fakti që duke qenë viktima të represionit, kemi dashur të sigurojmë askush tjetër në Kosovë nuk do të ndihej kështu. Multietniciteti është, në fakt, një nga pikat tona më të forta, është parimi bazë i Kushtetutës sonë. Dhe kjo është arsyeja pse kur dikush propozon një zgjidhje të supozuar në të cilën territoret duhet të ndahen në bazë të origjinës etnike, ne gjithmonë refuzojmë. Ne nuk besojmë në monoetnicitetin, ne besojmë se multietniciteti e bën një vend jo vetëm më të larmishëm, por edhe më të fortë, sepse diversiteti është një pasuri. Pastaj, nëse shikojmë raportet ndërkombëtare, shohim se nuk ka pasur sulme veçanërisht të rëndësishme fetare në Kosovë në dekadën e fundit”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka folur edhe për tolerancën fetare në Kosovë, duke e përshkruar vendin si të njohur në botë për tolerancë mes religjioneve.
Ajo u pyet se a e është befasuese që një shtet me shumicë myslimane ta zgjedh një grua presidente
“Kosova është një shoqëri multi-fetare dhe multikulturore. Kushtetuta jonë e përcakton vendin si një shtet laik. Sigurisht që ka fe të ndryshme në Kosovë, por ne jemi të njohur në mbarë botën për tolerancën tonë fetare. Ka familje ku njëri element është mysliman dhe tjetri katolik dhe gjithçka është në rregull. Ne kemi një komunitet shumë aktiv katolik, me të cilin punoj ngushtë dhe siç e dini prindërit e Nënë Terezës janë nga Kosova dhe ajo është ende një nga figurat më të admiruara nga të gjithë, si shembull për shembujt e mirë që na ka dhënë. Feja nuk ishte asnjëherë arsyeja pse Kosova të mos përparoj. Ne e respektojmë njëri-tjetrin, e vlerësojmë njëri-tjetrin dhe, edhe pse është një shtet laik, Kosova mbron lirinë fetare në të gjitha format e saj. Shoqëria jonë na ka treguar se është e emancipuar për sa i përket barazisë gjinore dhe dëshmi për këtë është votimi për një grua, duke e bërë atë personin më të votuar në historinë e vendit, diçka që disa vende të BE-së nuk e kanë arritur ende. Zgjedhja ime nuk ishte rezultat i një kalkulimi politik, unë isha personi me më shumë vota, prandaj parlamenti konfirmoi zgjedhjen time si presidente. Edhe pse ne ende po luftojmë diskriminimin, ne mund të shërbejmë si shembull për vendet e tjera për sa i përket arritjeve në jetën publike dhe mbi të gjitha në mënyrën e përfaqësimit të grave – dhe mbi të gjitha përmes votës së qytetarëve”, ka thënë Osmani.