Sipas profesorit amerikan, David L Phillips, Serbia është vend jodemokratik, dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, nuk e ndikojnë Aleksandër Vuçiqin në negociatat me Kosovën.
Profesori amerikan, David L Phillips, i cili njeh zhvillimet në Ballkan ai ka thënë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që pritet të mbahen më 21 qershor, nuk do të ndikojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Kjo, sipas tij, sepse Serbia është vend jodemokratik, e rrjedhimisht partia e presidentit serb, Aleksander Vuciq dhe ai vetë nuk do të mund të afektohen nga zgjedhjet.
“Vuciqi bën çfarë të dojë ai. Serbia është një shtet jodemokratik, kështu që rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk do të ndikojnë në dialog” , ka thënë Phillips
Nga ana tjetër, profesori amerikan thotë se Kosova duhet të krijojë koordinim dhe qartësi në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.
“Kosovës i duhet qartësi në udhëheqjen e dialogut. Duhet të ekzistojë një proces ku do të konsideroheshin pikëpamjet e kategorive të ndryshme të shoqërisë”, ka thënë analisti amerikan.
Sipas Phillips, Vuçiq ka “prioritete të tjera” dhe se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që “po e shtyjnë dialogun.
Analisti thotë se nuk ka ndonjë nguti që marrëveshja Kosovë – Serbi të arrihet sa shpejt, dhe sipas tij, Kosova duhet ta shfrytëzojë kohën që të nxjerrë një marrëveshje finale nga e cila do të përfitonte sa më shumë.
“Nuk ka asnjë nguti për përfundim të dialogut. Kosova duhet të shfrytëzojë kohën që të sigurohet që kushtet e marrëveshjes të jenë më të mirat të mundshmet për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Phillps,
Ndërkaq, analisti gjerman, Bodo Weber, mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi e sheh si një nga arsyet që do të mund ta vononin dialogun.
“Çka do që të jetë, nëse dikush llogarit të gjithë rrethanat që ndikojnë në dialog – zgjidhja e votimit të mosbesimit, zgjedhjet në Serbi dhe masat ekzistuese për udhëtimet ndërkombëtare, për të mos folur për mosmarrëveshjet transatlantike mbi atë se kush e udhëheq dialogun – nuk e di se si do të mund të rinisnin bisedimet para gushtit”, ka thënë Weber.
Zyra e Richard Grenellit, i dërguar special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë të hënën se negociatat do të rinisin sapo të krijojë Kosova Qeverinë e re.
“Ambasadori Grenell mbetet si emisar i Presidentit, dhe ai po shikon të vazhdojë dialogun sapo të përcaktohet formimi i Qeverisë së re të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Grenellit, Dick Custin.
Ndryshe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka pushuar nga nëntori i vitit 2018, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën ndaj produkteve serbe.
Kjo tarifë është hequr nga Qeveria e Albin Kurtit, për t’u zëvendësuar me reciprocitetin ndaj Serbisë, të cilën e ka kundërshtuar fuqishëm ambasadori Grenell.