Protesta e NJSI-së para Qeverisë: Këto janë 14 kërkesat e tyre

Njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë këtu njësitë speciale, hetues të departamenteve të ndryshme janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë, shkruan Reporteri.net.

Kjo është protesta e dytë e organizuar për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës plotësimin e kërkesave të rrezikshmërisë dhe shtesave të tjera.

Kreu i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka treguar para gazetarëve 14 kërkesat e Policisë që ka thënë se janë me prioritet dhe duan që të trajtohen në afat kohor sa më optimal.

Fjala e plotë e Zeqirit:

Sot jemi këtu që t’i përcjellim, përkrahim dhe paraqesim publikisht kërkesat legjitime të të gjithë pjesëtarëve të policisë edhe këtyre këtu prezent e edhe atyre që janë në kryerje të detyrave zyrtare. Deri më tani kemi adresuar kërkesa me shkrim e kemi patur takime me qeveritarë, kemi patur kërkesa verbale e kemi dërguar në Kuvend një peticion me pakënaqësitë e pjestarëve të policisë së Kosovës me rreth 5700 nënshkrime dhe ende nuk kemi marrë përgjigje.

PK ka qenë dhe është e përkushtuar në mbrojtje të rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjen e integritetit dhe territorit të Republikës së Kosovës bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe nga qeveria e Kosovës po kërkojmë që t’i plotësojë kërkesat legjitime dhe ligjore të pjesëtarëve të policisë me qëllim të plotësimit të kushteve dhe mirëqenies.

Kërkesat që do t’i paraqesim sot janë me prioritet dhe duan trajtim në një afat kohor sa më optimal.

Kërkesat e policisë janë:

1 Përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi siç janë: Veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete dhe pajisje të tjera të domosdoshme nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë e përhershme dhe të mos varet nga një vend apo lokacion i caktuar si dhe kërkojmë që shtesat e rrezikshmërisë në punë të jenë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë dhe të formohet një komision që të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave të rrezikshmërisë.

3. Përfshirja e disa njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.

4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare i njëjtë me ligjin për FSK-në.

5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit për buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore për mbulimin e shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.

6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së që janë lënduar gjatë detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond ose të caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.

7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e PK-së, dhe jo në mënyrë selektive.

9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.

10. Shtesa për fundvit në vlerën e një page për të gjithë ata që kanë treguar përformancë të mirë gjatë fundvitit.

11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikmit shkollor.

12. Të rikthehen tre paga përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.

13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët mund të kenë rast vdekje në familjen e ngushtë.

14. Përkujdesja për mirëqenie për pjesëtarët e PK-së që kanë rënë ose lënduar gjatë detyrës zyrtare si p.sh; shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët ose anëtarëve të ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.

Ne jemi të gatshëm për të diskutuar dhe shpresojmë që qeveria të ketë mirëkuptim e të na thërrasin në takim.