Pse të flisja për Shaqirin? Rama tregon pse nuk reagoi pas fitores së Zvicrës

Kryeministri Edi Rama ishte ndër të rrallët politikanë në Shqipëri që nuk reagoi publikisht pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë në Kupën e Botës, ku protagonistë ishin 2 shqiptarët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

 

I pyetur nga mediat për arsyet e kësaj heshtjeje, Rama u shpreh se nuk e pa të arsyeshme që të përdorte politikisht 2 figura që luajnë për një shtet tjetër duke i fryrë ‘zjarrit të një nacionalizmi qesharak’.

“Nuk e kuptoj pse duhet të flisja se nuk jam kryeministër i Zvicrës, por i Shqipërisë. Nëse do i ndaja ata 2 shqiptarët që ne i shohim me dashurisë dhe simpati të madhe për një ndeshje të veçantë, çfarë do bëja? Do i përdorja ato figura për politikë dhe në një mënyrë aspak dinjitoze, sepse është ekipi kombëtar i një shteti tjetër dhe do i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak, por nacionalizmi është sa qesharak aq edhe i rrezikshëm. Nuk e shoh të nevojshme dhe kush e bën nuk bën gjënë e duhur”, tha Rama.