Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka ndarë ditën e sotme imazhet e para nga dronët Bayraktar.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Peleshi njoftoi nisjen e misionit të dronëve Bayraktar dhe u shpreh krenarë për këtë hap të rëndësishëm në mbrojtjen kombëtare.
“Krenarë të ndajmë sot imazhet e para nga dronët Bayraktar. Këta dronë, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, po rrisin ndjeshëm aftësitë tona të mbikëqyrjes dhe sigurisë. Një hap i madh përpara në mbrojtjen kombëtare”, shprehet Ministri Peleshi.
Forcat e Armatosura shqiptare kanë në zotërim 3 dronë Bayraktar, të blerë në Turqi në bazë të një marrëveshje mes dy vendeve.
Këta dronë janë të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar. Ata do të shërbejnë edhe për monitorimin e territorit dhe imazhet e tyre do të jenë në shërbim të institucioneve të shtetit.