Njëri nga të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, Ekrem Rexhepi po raportohet se është sulmuar fizikisht nga të burgosurit në qendrën e paraburgimit.
Por nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, e kanë mohuar se Rexhepi është sulmuar. Zëdhënësi Florent Gashi tha për Sinjalin se Rexhepi është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë, por për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm ndaj tij.
“Nuk është sulmuar. Është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, tha Gashi.
Sipas një videoje që po qarkullon shihet se bëhet fjalë për të akuzuarin tjetër, Shkëlqim Kamerin. Por edhe kjo është mohuar nga Gashi, i cili tha se s’ka ndonjë të burgosur nga ky rast që është dërguar për trajtim mjekësor.