Shtetet e Bashkuara duan heqjen e tarifës, dhe këtu përfundon çdo gjë. Nuk duan që kryeministri Albin Kurti të vendos masa të reciprocitetit, ashtu siç ka premtuar. Në Vetëvendosje thonë se nuk do të ketë zmbrapsje nga zotimi për të vënë masat reciproke ndaj Serbisë.
Kur kryeministri Albin Kurti e emisari i Trumpit, Richard Grenell, u pajtuan për heqje të sanksioneve për produktet serbe, vijoi edhe pjesa e dytë.
Kurti ka premtuar në fushatë zgjedhore, e është zotuar në marrëveshjen për formimin e Qeverisë, bashkë me LDK’në, se do ta heqë tarifën, por atë do ta zëvendësojë me masa të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Pasi Grenell tha se “Albini ka të drejtë” për heqjen e tarifave, Zyra e tij njoftoi se SHBA’ja nuk e përkrah vendosjen e reciprocitetit.
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Dick Custin, këshilltar për Marrëdhënie me Publikun në ambasadën amerikane në Gjermani.
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili është edhe shef i Grupit Parlamentar, thotë se nuk do të lëkunden nga pozicioni i tyre për zëvendësimin e taksës me reciprocitet.
“Përgjigjja ime është: Plani qeverisës. Përgjigja jonë është plani qeverisës, dhe qëndrimi ynë politik për temën e njëjtë, qëndrim që nuk ka ndërruar, sepse nuk ka pse të ndërrojë” , ka thënë Selimi për Gazetën Express.
Zyrtarë të lartë të LDK’së nuk janë përgjigjur rreth deklaratës së dalë dje nga Zyra e Grenellit.
LVV dhe LDK janë dakorduar në marrëveshjen për qeverisje të vendit, që ta zëvendësojnë tarifën ndaj produkteve serbe me masa të reciprocitetit.
Madje, kryeministri Kurti ka thënë se nuk do të lë boshllëk mes taksës dhe reciprocitetit dhe se nuk do ta heqë të parën, pa vënë të gjitha masat ndaj Serbisë, njëjtë sikur shteti serb që i ka ndaj Kosovës.
Tarifa e qind për qindtë, sipas Kurtit, hiqet vetëm pasi të vendoset reciprociteti.
Ndërkaq kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ditë më parë ka thënë se para vendosjes së reciprocitetit duhet bëhen studime, për shkak se preken shumë fusha, e jo vetëm ana ekonomike.
E Grenell, i cili po merret intensivisht me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës përballë Serbisë, ka shkruar sot në Tëitter, dhe duhet të hiqet menjëherë taksa për të funksionuar investimet.
“Taksa duhet të hiqet, në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenell në Tëitter.
Ky u pa si një kërcënim, madje Televizioni Publik raportoi duke u thirrur në burime se SHBA’ja ka vendosur të ndalë investimet në Kosovës deri në heqje të tarifës ndaj Serbisë.
“Ambasadori i SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, i cili është edhe i Dërguar Special i Presidentit Trump për dialogun Kosove-Serbi, mësohet se sot ka pasur një komunikim të ashpër dhe të qartë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, të cilëve ua ka bërë të qartë se SHBA-ja është e gatshme të bëjë investime milionëshe në Kosovë, nëse hiqet taksa”, ka raportuar sot RTK’ja.