Kryeministri Edi Rama ka reaguar në mënyrë konfuze ndaj refuzimit me votë të rezolutës që dënonte masakrat serbe në Srebrenicë. I gjendur nën presionin e fortë mediatik dhe publik, shefi i qeverisë reagoi 3 herë duke u munduar të kalonte fokusin tek sulmet ndaj ish-kryeministrit Berisha. Në reagimin e tretë, Rama u përpoq të tjetërsonte edhe votimin duke thënë se Parlamenti nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë!
Edi Rama nuk e kishte parashikuar që refuzimi me votë nga deputetët e Partisë Socialiste të rezolutës që dënonte masakrën serbe në Srebrenicë do të ngjallte reagime kaq të forta në Shqipëri dhe rajon. Kjo u duk qartë nga reagimet konfuze të kryeministrit vetëm pak orë pasi deputetët e partisë së tij ngritën kartonat e kuq në Kuvend duke refuzuar dënimin e krimit më të rëndë të ndodhur në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth orës 18:20 minuta, zyra e kryeministrit shpërndau reagimin e parë të Ramës me këtë përmbajtje.
“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot,pse,me ç’rast?Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët!”
Por 2 minuta më vonë ky reagim i kryeministrit Rama u fshi menjëherë.
Tekstit të mësipërm iu shtuan edhe dy paragrafe të tjerë me një përpjekje të qartë për ta transferuar fokusin nga përmbajtja e rezolutës tek sulmet mbi ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik! Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!”
Por reagimet e Rames nuk përfunduan me kaq.
Pavaresisht se vota e deputeteve socialiste ne Kuvend kunder rezolutes ishte publike, i gjendur nen presionin mediatik e publik, kryeministri u përpoq të tjetërsonte edhe votimin që refuzonte dënimin e masakrave serbe në Srebrenicë.
“Edhe një fakt për t’u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij!”
Refuzimi me votë i rezolutës që dënonte masakrimin e 8 mijë burrave boshnjake në Srebrenicë erdhi vetëm një ditë pasi Edi Rama u shfaq i rehatuar në Bruksel mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe liderit të serbëve të bosnjes, Milorad Dodik.