POLITIKE

Rama kundër BE, kërkon një deklaratë të re për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi këtë të mërkurë se qëndrimi i Shqipërisë për situatën në veri të Kosovës është i ndryshëm nga ai i BE-së, pasi ky i fundit nuk i përgjigjet realitetit të sotëm.

Sa i përket kësaj situate, kreu i qeverisë shqiptare – duke folur në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani – theksoi se duhet një deklaratë e re nga evropianët për dialogun Kosovë-Serbi.

“Qëndrimi lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Josep Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Evropian”.

Kjo pasi, “ditët e fundit, ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd”.

Sipas kryeministrit shqiptar, kjo është “e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo evropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Evropën”.

“Kemi kërkuar që Bashkimi Evropian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd dhe deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Evropian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë”.

Në mbyllje Rama tha se ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror.

Një ditë më parë përmes një reagimi të gjatë në X, kryeministri shqiptar ka dënuar Serbinë për kthimin në nacionalizëm vetëvrasës, ndërsa ndërkombëtarëve u kërkoi ta ngrenë alarmin për veriun.

Rama nuk kursen askënd

Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik!

Është ky mendimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter, ka shkruar mbi ngjarjen.

E gjitha sipas tij, po ndodh ndërkohë që Serbia duhet të kishte hapur një hetim serioz për të gjithë anëtarët e këtij grupimi kriminal, për të parë lidhjen e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, qoftë në Serbi apo gjetkë.

Ky hetim po ashtu duhet të shihte nëse qëllimi ishte ai i krijimit të një lëvizjeje të armatosur në veriun e Kosovës.

Por nga ana tjetër, në fjalët e kreut të Qeverisë, Beogradi ka zgjedhur një shpallje zie që nuk ka asnjë lidhje me shekullin e XXI-ë dhe në këtë mënyrë po i fryn si asnjëherë më parë zjarrit të një konflikti të armatosur.

“Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumenteve në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike!”, shton ai.

Megjithatë, kryeministri vijon të mendojë se pikërisht në këtë çast, Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen, nëse do të jetë me Evropën dhe botën demokratike, apo me hijen e vetvetes së fundshekullit të XX-ë.

Të zgjedhë midis të qenit me vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ’90.

Me të nesërmen evropiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!

Po ashtu, sipas kryeministrit, ky është çasti kur Bashkimi Evropian dhe SHBA-të duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë.

“Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”, thekson Rama.

Teksa, në mbyllje, ai ka vlerësuar po ashtu se ky është çasti kur Kosova duhet të reflektojë me shumë seriozitet dhe ta ndajë mendjen, nëse do të vijojë kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm, apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti.

“Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Evropës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë evropian”, përmbyll kryeministri Rama qëndrimin e tij.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

6 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

9 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

10 orë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

17 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Rama ironizon protestuesit në Zvërnec: Mos ua prishni flamingove plazhin me makina dhe kanoçe birre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi në rrjetet sociale pas protestës e cila u…

20 orë ago
  • POLITIKE

Pas Greqisë, tani edhe Turqia kundër Shqipërisë

Sipas gazetarit dhe analistit turk İbrahim Karagül, zhvillimet e fundit rreth Ishullit të Sazanit nuk…

1 ditë ago