Raportohet se një gjeneral i lartë rus është vrarë në Ukrainë me raketë britanike “Storm Shadow”

Mediet ruse raportuan të hënën se një gjeneral rus me përvojë është vrarë në frontin e rajonit jugor të Ukrainës, Zaporizhia, nga një sulm i forcave ukrainase.

“Si rezultat i një sulmi me raketë të armikut, komandanti i Ushtrisë së 35-të me Armë të Kombinuara, Gjeneral Major Sergei Goryachev, është vrarë”- tha në një postim në “Telegram” blogeri i njohur pro luftës, Voenkor, përcjell gazeta “The Guardian”.

Sergei Goryachev ishte komandant i dekoruar dhe më parë i kishte udhëhequr trupat ruse në rajonin separatist të Moldavisë, Transnistria.

Voenkor-i shtoi se “sipas përfaqësuesve të komandës së Grupit të Bashkuar të Forcave (S), ushtria sot e ka humbur njërin prej udhëheqësve më të ndritur dhe më efikasë ushtarakë”.

Disa blogerë rusë të luftës thanë se Goryachev-i me gjasë është vrarë nga një raketë me vetëdrejtim e tipit “Storm Shadow”, të cilën Ukraina e ka siguruar nga Mbretëria e Bashkuar.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ende nuk i ka komentuar raportimet për vdekjen e këtij zyrtari të lartë ushtarak.

Më shumë se dhjetë gjeneralë rusë besohet të jenë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Rajoni Zaporizhia, rreth 80 për qind e të cilit kontrollohet nga forcat ruse, besohet se është njëra ndër pikat kryesore të fokusit të kundërsulmit ukrainas.