Me një imazh të artit dixhital, gjenerallejtënanti grek i Zjarrfikësve Panagiotis Kotridis, ish-komandant Rajonal i Shërbimit Zjarrfikës të Detit Egje, donte të dërgonte mesazhin e tij të mbështetjes dhe solidaritetit për kolegët e tij që po luftojnë kundër kohës për të shpëtuar jetë në rajonet e Turqisë që u goditën nga tërmetet vdekjeprurëse.
Imazhi, i cili kap një kompozim fantastik sipas krijuesit, është bërë virale orët e fundit në rrjetet sociale greke dhe turke, duke pasqyruar plotësisht kontributin e forcave të EMAK-ut në zonat e prekura të Turqisë.
“Për të nderuar kolegët që po bëjnë çmos për të shpëtuar të prekurit nga tërmetet në Turqi, kam bërë këtë foto”, thotë ai në postimin e tij, duke shtuar: “Jam këtu për ju” në greqisht, anglisht dhe turqisht. Kompozimi përshkruan një zjarrfikës grek që mban me dashuri një fëmijë të vogël, të cilin e liroi nga rrënojat.
Siç shprehet krijuesi, ky është një kompozim dhe jo një foto e vërtetë. Rezultati i Photoshop-it dhe Midjourney (programi i inteligjencës artificiale) i zotëruar nga ai vetë.
Megjithatë, në realitet edhe Greqia po jep kontributin e saj në shpëtimin e jetëve nga tragjedia e fqinjit me fërkime historike. Madje pak orë pas tërmeteve shkatërruese, Erdogan dhe Mitrotakis biseduan drejtpëdrejt mes tyre, pas një ngritje të komunikimeve të ndërsjellta, duke lënë pas mëritë e dhënë prioritet kauzës humane të shpëtimit të sa më shumë jetëve nën rrënoja. Për këtë, Greqia çoi menjëherë në zonat e tragjedisë ekipet e saj të shpëtimit.