Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e çoi edhe një hap më tej retorikën e tij të luftës me Kosovën. Kësaj here duke u thirrur në ndihmën e miteve dhe legjendave mesjetare serbe.
Një referencë e tillë, në deduksionin më të thjeshtë të implikimeve logjike të saj, shënjon luftë.
Ja çfarë tha Vuçiç në Oseçinë të Serbisë pasditen e së premtes.
“Në një kishë në Serbi, rriten gjashtë [pemë] kumbulla të përdredhura në drejtim të Kosovës. Gjersa ushtria sillej rreth kishës pas kungimit, kumbullat u përdrodhën në atë drejtim, duke u lutur bashkërisht për fitoren e kalorësve serbë – kështu thotë legjenda, dhe thotë se ato gjashtë kumbulla do të bëhen të drejta kur të kthehet ushtria fitimtare [në Serbi]”.
Çfarë do të thotë ky misticizëm kumbullash në mito-historinë serbe?
E gjen kudo nëpër folkloret serbe se si “gjithmonë gjashtë kumbulla” rriten së bashku në afërsi të kishave e manastireve, dhe sipas tyre, “gjithmonë të drejtuara kah Kosova”.
Kjo, ngase, sipas bestytnive të tyre, para nisjes së betejës së Kosovës më 1389, ushtria serbe kishte kryer kungimin para “gjashtë kumbullave” dhe, kumbullat “nga mërzia e tyre për ushtarët që po shkojnë në luftë”, ishin përdredhur duke i përcjellur ushtarët.
Legjenda më tej e thotë se kur reliktet e Princit Lazar u kthyen, princesha serbe Millica kërkoi të ktheheshin në atë kishë të vogël.
Vuçiç iu referua pikërisht bestytnive të tilla se “kumbullat drejtohen kur të kthehet ushtria fitimtare”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një retorikë më konkrete lufte, të pangjyer me misticizëm, e zhvilloi edhe më 31 korrik, një ditë para se të niste zbatimi i masave të reja të qeverisë kosovare.
Madje, fjalimi i tij në televizionin nacional, u interpretua si i njëjtë me atë të Sllobodan Millosheviçit, në Gazimestan më 1989 kur fliste për ‘beteja të armatosura’.