Prokuroria e Posaçme SPAK është kthyer në institucionin më të besueshëm shqiptar për qytetarët, duke shënuar rritje të madhe të besimit në vitet e fundit, veçanërisht tek të rinjtë.
Në bazë të të dhënave të Barometrit, në vitin e fundit, besimi në SPAK thuajse është dyfishuar, ku nga 14.2% që ishte në nëntor 2022, tashmë është në 26.16%.
Fakti interesant është se janë të rinjtë, ata të cilët besojnë më së shumti në punën e Prokurorisë së Posaçme, ku për grupshmoshën 18-24 vjeç, besimi në SPAK arrin 35.99%.
Grupmoshat e tjera tregojnë luhatje më të madhe, në rangun e 22-28%, teksa skeptikë janë edhe mosha e tretë.
Po ashtu, ka një tendencë sipas Barometrit, që personat me arsim të lartë të kenë besueshmëri më të madhe te SPAK-u.
Të ardhurat gjithashtu reflektojnë se shtresat e larta dhe ato mesatare të larta kanë besim më të madh.
Ndërsa, personat me të ardhura mesatare ose të ulëta, e kanë më të ulët besimin.
Pavarësisht se puna e SPAK i ka goditur më shumë politikanët e majtë në vend deri tani, janë pikërisht ata të cilët kanë votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2021, ata që tregojnë më shumë besim, me 44.4% të tyre që i besojnë SPAK-ut.
Tek votuesit demokratë, shifra ulet ndjeshëm dhe shkon vetëm në 8.7%.
Nëse krahasohet me një vit më parë, vetëm 26.4% e të anketuarve kanë pasur mendim shumë të mirë ose të mirë për punën e SPAK. Por, tashmë vlerësimi pozitiv është dyfishuar.
Edhe në këtë aspekt, janë moshat e reja, ata të cilët vlerësojnë më mirë, me grupmoshën 18-24 vjeç, të cilët i japin vlerësim të mirë ose shumë të mirë SPAK-ut, në masën 62.6%.