Rusia drejt pushtimit të Ukrainës, kushtet që Perëndimi nuk mund t’ia përmbushë

Ministria e jashtme ruse publikoi një seri kërkesash ndaj qeverive perëndimore për të lehtësuar tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës. Kërkesat janë brenda dy dokumenteve, njëri drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tjetri NATO-s, aleancës ushtarake që përfshin një pjesë të mirë të vendeve të perëndimit; me të cilat kërkohen disa garanci për të zgjidhur krizën në kufi me Ukrainën, shkruan Aljazeera

Një nga kërkesat është që Ukraina të mos bëhet asnjëherë pjesë e NATO-s si dhe tërheqja e të gjitha trupave ushtarake të vendeve të NATO-s nga vende të ndryshme të Europës Qendrore apo Lindore. Kërkesat vijnë në një moment shumë delikat për ekuilibrat ndërkombëtarë. Javët e fundit qeveria ruse ka rreshtuar dhjetëra mijëra ushtarë dhe mjete në kufi me Ukrainën.

Një vendim që shkaktoi shqetësim mes vendeve perëndimoren për një pushtim të mundshëm të Ukrainës apo të pjesës së saj lindore. Për këtë zonë ka përplasje mes qeverisë ukrainase dhe militantëve filorusë. Kushti për mos anëtarësimin e Ukrainës në NATO është i papranueshëm për perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse do të nënkuptonte dorëzimin e vendit tek ndikimi i Rusisë. Por dhe i sikletshëm pasi më shumë se 10 vite më parë NATO i premtoi Ukrainës anëtarësimin.

Një kërkesë tjetër është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos vendosin anije lufte dhe avionë në zonat që ndodhen jashtë territorit amerikan – të njëjtën gjë do të bëjë dhe Rusia. Pas publikimit të dokumenteve, zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov tha se marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në dhe NATO-n i janë afruar një “pike të rrezikshme”, duke thënë se vendosja dhe stërvitjet e aleancës pranë kufijve të Rusisë janë kërcënime “të papranueshme” për sigurinë e saj, shkruan abcnews.al

Ai tha gjithashtu se Kievi kishte “të drejtën ekskluzive sovrane” për të udhëhequr politikën e tij të jashtme dhe vetëm ai dhe NATO mund të përcaktojnë marrëdhëniet midis tyre, duke përfshirë çështjen e anëtarësimit të Ukrainës.

Drafti i Rusisë parashikon gjithashtu një zotim për të mos vendosur raketa me rreze të mesme veprimi në zonat ku ato mund të godasin territorin e palës tjetër, një klauzolë që pason tërheqjen e SHBA-së dhe Rusisë nga një pakt i kohës së Luftës së Ftohtë që ndalon armë të tilla.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane thanë se Rusia ka vendosur 70,000 ushtarë në kufirin e saj me Ukrainën dhe po përgatitet për një pushtim të mundshëm në fillim të vitit të ardhshëm. Moska ka mohuar çdo qëllim për të sulmuar vendin dhe ka akuzuar autoritetet ukrainase për planifikimin e një ofensive për të rimarrë kontrollin e Ukrainës lindore të kontrolluar nga rebelët – një akuzë që Ukraina e ka mohuar.

Luftimet midis forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore filluan pas aneksimit nga Rusia në vitin 2014 të Gadishullit të Krimesë. Nga ky konflikt kanë humbur jetën më shumë se 14 mijë persona.