Rusia pretendon çlirimin e Mariupolit, Putin urdhëron anulimin e ofensivës në impiantin e Azovstal

“Mariupoli është i yni”. Me këto fjalë, Moska kurorëzon atë që e quan operacion të suksesshëm në Mariupol, qytet që sipas presidentit Putin është tani në duart e rusëve.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Sergej Shoigu, i cili informoi shefin e Kremlinit lidhur me situatën në terren, mbi 4 mijë nga rreth 8 mijë ushtarë të batalioneve nacionaliste dhe mercenarë të huaj të pranishëm në Mariupol, janë eliminuar gjatë çlirimit të qytetit.

Putin urdhëroi ushtrinë të anulojë planet për mësymjen e fabrikës së hekurit dhe çelikut Azovstal ku janë strehuar forcat e mbetura të rezistencës, bashkë me qindra civilë.  Ai tha se nuk do të rrezikonte jetën e trupave ruse dhe urdhëroi që operacioni të fokusohej në bllokimin e mëtejshëm të impiantit metalurgjik, në mënyrë që asnjë mizë të mos dalë prej andej, siç u shpreh.

“E konsideroj të panevojshme mësymjen e zonës industrialë dhe të urdhëroj ta anulosh. Ky është rasti ku duhet të mendojmë për ruajtjen e jetëve të ushtarëve tanë. Nuk ka nevojë të hyjmë në katakombet dhe të zvarritemi nëntokë. Bllokojeni zonën industrial në mënyrë që asnjë mizë të mos dalë prej andej”, u shpreh Putin.

Sipas ministrit rus të Mbrojtjes Shoigu, më shumë se 2 mijë luftëtarë ukrainas janë ende në bunkerët nëntokësorë të impiantit. Moska u lëshoi një seri ultimatumesh për t’u dorëzuar nëse nuk donin të vdisnin, por mbrojtësit e qytetit jugor refuzuan të ulnin armët.

Më herët negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak i propozoi Rusisë të zhvillonin bisedime speciale në Mariupol, pa parakushte.

Mbi 120 mijë qytetarë thuhet të jenë të bllokuar në qytetin port, me disa prej tyre që mund të evakuoheshin gjatë ditës së mërkurë. Korridore humanitare për evakuimin e grave fëmijëve dhe të moshuarve janë njoftuar edhe këtë të enjte, me gjithë situatën e vështirë të sigurisë.