Gjatë intervistës në emisionin “Zonë e Lirë” në “Tv Klan” Berisha tha se nuk është në dijeni nëse Basha është “non grata” në SHBA, por u shpreh se ai nuk udhëton prej vitesh drejt Amerikës.
“Ka disa vite që nuk shkon në SHBA. Gjithçka e ka bërë vetëm për veten e tij. Gjithçka e ka bërë në funksion të interesit të tij personal. Ka udhëtime të anuluara. Unë di ai me mua ka bërë një bisedë 3 ditë përpara ku më thotë se si do ia bëjmë se na del probleme, i atij ligjit të dekriminalizimit. I them nuk ka asnjë lidhje, kurse ky është në përgjithësi”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar një vendim që asgjëson sovranitetin e PD-së atë të kryetarit Lulzim Basha për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar demokrat, pas shpalljes “non grata” nga DASH.
REAGIMI I BASHËS
Më herët sot, pas daljes nga Kuvendi Lulzim Basha u shpreh se dhimbja për vendimin i është dyfishuar për shkak të gjuhës së përdorur nga Sali Berisha.
“Dhimbja që ndjej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që u detyrova të marr dje është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga z. Berisha. Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë, dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve”, tha Basha.