Nesër kryeministri Edi Rama do të presë në Tiranë liderët e rajonit dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, në kuadër të përgatitjeve që po bëhen për Samitin e Procesit të Berlinit.
Gazetari i Report Tv, Ermal Qori bën me dije se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në takim pasi ndodhet në Greqi për edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar. Ndërkohë sipas mediave, mësohet se në vend të tij do të vijë zëvendëskryeministri Besnik Bislimin.
Në takimin kanë konfirmuar pjesëmarrjen liderët e rajonit, Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i RMV Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnjës dhe ajo e Serbisë Ana Bërnabiç.
Ky takim ishte paralajmëruar nga Edi Rama në turin Ballkanik të zhvilluar pak ditë më parë, ndërsa në Samitin e NATO-n në Lituani Rama konfirmoi edhe një vizitë të Presidentit francez Emanuel Macron. Më 6 dhjetor 2022 në Tiranë u mbajt samiti i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u ndërmor në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.
Samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë më 16 tetor 2023.