Policia ka bërë të ditur se në vijim të operacionit të koduar “Goldfinger” ka sekuestruar 3 milionë euro pasuri, me burim të ardhurash nga aktiviteti kriminal i 4 personave, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, në Danimarkë, më datë 26 qershor 2019.
Sipas policisë, këta persona janë pjesëtarë të një grupi të madh të strukturuar kriminal për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vendet e BE-së dhe një pjesë të parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha. Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore.
Në 6 qershor, po në sajë të këtij operacioni u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, operacion i koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, i shtrirë në disa shtete, si Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri, Drejtoria Hetimore Qendrore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vijuar hetimin pasuror për të sekuestruar të gjitha pasuritë e personave të arrestuar gjatë operacionit, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i tyre.
Gjatë hetimeve për identifikimin e pasurive të tjera që kishin rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasve J. K., D. E., A.D. dhe E.P., të arrestuar në Danimarkë më datë 26.06.2019, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, evidentoi një sërë pronash të tjera të këtyre personave dhe i kërkoi Gjykatës sekuestron përfundimtare në bazë të ligjitit antimafia.
Bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, u vendos sekuestrimi mbi pasuritë, si më poshtë:
Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;
10 apartemente banimi, në plazhin e Velipojës;
1 apartament banimi në Shkodër;
14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit;
Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro.