Senatori amerikan, Chris Murphy, pas vizitave diplomatike në vende të botës, e ka zakon t’i përshkruaj prapaskenat e udhëtimit dhe takimet që ka pasur me zyrtarë shtetërorë.
Njëjtë ka vepruar me turin që ka pasur në Ballkanin Perëndimor konkretisht takimin që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe një afat kohor prej 60 ditësh që Vuciq ia ka dhënë senatorit për ta thirrur pastaj raporton Gazeta Express.
Murphy e përshkruan Vuçiqin si mik që shpesh kanë ngrënë drekë kur presidenti serb ka vizituar Washingtonin. Për shkak të shoqërisë mes tyre, senatori demokrat thotë se gjatë takimit në Beograd, Vuçiq e ka ndërprerë atë dy minuta pasi ka filluar të flasë duke i thënë t’i ndalë formalitetet pasi e njohin njëri tjetrin shumë mirë.
“Chris, Chris, Chris, ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Ndaloje këtë formalitet. Çfarë dëshiron të dish? Do të të tregoj”, i thotë Vuçiqi senatorit në takim.
Pas kësaj, senatori Murphy e pyet Vuçiqin se a do të vendosë sanksione ndaj Rusisë apo do të vazhdojë të luajë me dy karta.
“Në rregull, Aleksander, duam të dimë, a do të qëndroni me shtetet demokratike dhe të sanksiononi atë apo do të vazhdoni të luani me dy anët”, i ka thënë Murphy.
Ai thotë se pyetja e thelloi bisedën që zgjati një orë mes tyre mbi historinë e Serbisë me Rusinë dhe shprehjen e famshme se Serbia ulet në dy karrige edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Evropian.
Pas bisedës Vuçiq i thotë senatorit demokrat që ta thërrasë pas 60 ditëve dhe ta shohë se a e ka bërë atë që i ka thënë.
“Më thirr pas 60 ditëve. Shiko pastaj se a e kam bërë atë që po ta them se do ta bëj”, ka thënë Vuçiq në fund të takimit me senatorët.