Dhjetë vende në rajonin Adriatiko-Jonian, përfshirë Serbinë, miratuan një deklaratë në takimin e tyre vjetor në Tiranë, duke e quajtur pushtimin rus të Ukrainës “agresion i paligjshëm dhe i pajustifikuar” dhe duke shprehur “angazhimin për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Kroacia, Sllovenia, Italia, Greqia, Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe San Marino u mblodhën në një forum të quajtur Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR).
Në një deklaratë të përbashkët, ata renditën 25 pika që lidhen me bashkëpunimin e tyre të ardhshëm nën kujdesin e Komisionit Evropian, organit ekzekutiv të BE-së, por e para lidhej me luftën në Ukrainë.
“Ne, përfaqësuesit e qeverive (…), shprehim në mënyrën më të fortë keqardhjen tonë për agresionin e paligjshëm dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës (…). Ne riafirmojmë angazhimin tonë për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratë.
Dokumenti nuk është i detyrueshëm
Deklarata nuk është një dokument ligjërisht i detyrueshëm, por ajo shpreh qëndrimin politik parimor të vendeve nënshkruese.
Deklarata u bë e ditur pas një takimi me dyer të mbyllura në Tiranë, ku morën pjesë sekretarët e shtetit të ministrive të Jashtme respektive.
Një përfaqësues i Serbisë, një vend që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, nuk ishte i disponueshëm për koment menjëherë pas takimit.
“Të gjitha vendet e kanë pranuar tekstin e deklaratës në vëllimin që ju është shpërndarë ju gazetarëve,” tha Josip Brkicc, zëvendësministër i Jashtëm i Bosnjës.
“Sa i përket asaj që fatkeqësisht po ndodh në dekadën e tretë të shekullit të 21-të në tokën evropiane, e që është agresioni rus ndaj Ukrainës, të dhjetë anëtarët e pranuan unanimisht tekstin e deklaratës”, shtoi ai.
Strategjia ka qenë në fuqi për tetë vjet
Në vitin 2014, Komisioni Evropian krijoi Strategjinë për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), si një mënyrë për të afruar vendet kandidate potenciale me Bashkimin Evropian. Forumi u krijua pasi Kroacia, anëtarja më e re, iu bashkua BE-së në vitin 2013.
“Lufta në Ukrainë dhe veprimet e Rusisë vetëm na kujtojnë rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, i cili arrihet përmes lidhjeve më të ngushta me BE-në dhe perspektivës së anëtarësimit,” tha Slawomir Tokarski, drejtor i fondeve të BE-së në Komisionin Evropian.
“Në këtë mënyrë, ne mund të luftojmë ndikimin e Rusisë,” shtoi ai.