Në kohën kur po përflitet se SHBA po e largon vëmendjen nga Ballkani Perëndimor, mediat serbe kanë ngritur alarmin për pesë njerëzit e emëruar nga presidenti Joe Biden, që do të angazhohen ekskluzivisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Gazeta serbe Blic në artikull të sajin shkruan se ” Amerika po kthehet në Ballkan, dhe me një stil të mrekullueshëm! Duke gjykuar nga pesë që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, delegoi për t’u marrë me vendet e Ballkanit në periudhën e ardhshme, Uashingtoni ka synime shumë serioze në këtë rajon në periudhën e ardhshme”.
Blic i përshkruan ata si “Diplomatë te ashpër, negociatorët të sprovuar, që e njohin rajonin në pëllëmbë të dorës dhe që të gjithë flasin serbisht!
Po kush janë 5 të besuarit e Biden?
Emërimi më i rëndësishëm lidhet me caktimin e Christopher Hill si ambasador i SHBA-ve në Beograd. Një diplomat tepër i njohur për shqiptarët dhe i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në krizën dhe luftën mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai u bë negociatori amerikan i marëveshjes së Rambujesë duke qenë njëkohësisht edhe ambasador në Shkup. Ai pati një rol të madh në krah të Richard Holbrook gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbi në vitin 1999. Përpara Joe Biden ta thërriste për ta rikthyer në Ballkan, Hill kishte 11 vjet i larguar nga diplomacia dhe jepte mësim në Universitetin e Columbia-s, Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Zyrtari tjetër është promovim i Gabriel Escobar. Ai do të jetë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit që do të merret me Ballkanin Perëndimor. Escobar ka qenë përfaqësues i SHBA-ve në Serbi.
Jeffrey M. Hovenier pritet të zëvendësojë Philip Kosnettin në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Diplomati tjetër James O’Brien është nominuar nga Joe Biden si koordinator për politikat e sanksioneve dhe Michael Murphy cili është do të jetë ambasador në Bosnje Hercegovinë.
Këto lëvizje për median serbe tregojnë se SHBA do t’i kushtojë një vëmendje të madhe situatës në Ballkan. Ndërsa një ditë më parë sekretari amerikan Blinken në një deklaratë të përbashkët me kryediplomatin e BE-së, Joseph Borrell dhanë një qëndrim të qartë mbi situatën në Ballkan, duke kërkuar çeljen e negociatave pa vonesë për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë të bashkuar në mbështetjen e tyre të fortë për integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe në punën e tyre të përbashkët për të promovuar reformën zgjedhore dhe kushtetuese dhe për të ruajtur funksionalitetin e institucioneve të saj shtetërore. Ne kemi shqetësime serioze për retorikën gjithnjë e më përçarëse në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe mbrojnë institucionet shtetërore, të rifillojnë dialogun konstruktiv dhe të ndërmarrin hapa për të çuar përpara përparimin në rrugën e integrimit në BE – përfshirë reformat përkatëse. BE -ja dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të lehtësojnë këto hapa”, thuhej më tej në këtë deklaratë, e cila shigjetonte në distancë Serbinë.