Teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump planifikon të reformojë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, ka prezantuar para publikut disa nga projektet e agjencisë që administrata e re, siç tha ajo i konsideron si “delirante dhe dashakeqe”.
Si një shembull, siç thuhet në deklaratë, të “abuzimit dhe humbjes së parave”, Levitt përmendi një milion e gjysmë dollarë për programet që promovojnë diversitetin, barazinë dhe përfshirjen (DEI) në vendet e punës në Serbi.
Ajo nuk ka specifikuar saktësisht se cilat programe janë përfshirë në Serbi, ndërsa ka treguar se sa para janë ndarë për programe specifike në vende të tjera raporton Reporteri.
“Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka qenë e papërgjegjshme ndaj taksapaguesve për dekada duke ofruar shuma të mëdha parash për projektet e pakuptimta dhe, në shumë raste, me qëllim të keq të burokratëve, pothuajse pa asnjë mbikëqyrje”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
“Shpenzime dhe abuzime të ngjashme të panevojshme përfshinin 2.5 milionë dollarë për automjetet elektrike në Vietnam, 2 milionë dollarë për ndryshimin e gjinisë dhe aktivizmin LGBT në Guatemalë, 6 milionë dollarë për turizmin në Egjipt, 70,000 dollarë për muzikalin DEI në Irlandë, 47,000 dollarë për një operë transgjinore në Kolumbi dhe 32,000 dollarë për një shfaqje transgjinore në Peru.
“Unë nuk e di për ju, por si një taksapagues amerikan, nuk dua që paratë e mia të shkojnë në këto marrëzi dhe e di që as populli amerikan nuk e dëshiron atë,” tha Levitt në një fjalim para mediat.