Shtëpia e Bardhë ka marrë një vendim që mund të qetësojë jo pak tregun ndërkombëtarë të naftës, duke ndihmuar në uljen e çmimeve edhe në Shqipëri.
Sipas burimeve të amerikanes Bloomberg, administrata Biden po mendon të zhbllokojë çdo ditë rreth 1 milion fuçi nafte çdo ditë, që ishin pjesë e rezervave të Shteteve të Bashkuara, prej vitesh të pashfrytëzuara.
Vendimi vjen pikërisht si pjesë e masave që do të mundësojnë uljen e çmimeve në tregun vendas dhe ndërkombëtar pas zhvillimeve në Ukrainë dhe mund të shkojë në total deri në 180 milionë fuçi.
Një sasi deri diku simbolike dhe gjithsesi e pamjaftueshme për të ngopur kërkesën ndërkombëtare, duke parë se nga Arabia Saudite, prodhuesi më i madh në botë, dalin rreth 12 milionë fuçi në ditë, por që do të kishte një domethënie politike të fortë, edhe për shtetet e tjera prodhuese.
Sipas burimeve, presidenti amerikan do të mbajë një fjalim rreth orës 19.30 shqiptare, ku do të flasë për masat që parashikohen për zbutjen e çmimeve.
Ulja e çmimeve gjithsesi erdhi ditën e sotme, ku çmimet WTI, që i referohen naftës teksane, u ulën me 5% në kuotën 102.5 dollarë për fuçi, ndërkohë që lista Brent, që përfshin vendet e Europës së veriut, u ul me 4.58%, në kuotën 108,2 dollarë.