“Asnjë vend nuk duhet që të shpëtojë Rusinë nga sanksionet perëndimore”.
Ka qenë ky paralajmërimi i Washington-it, zyrtar për Kinën.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan, i ngriti drejtpërdrejt dhe shumë qartë shqetësimet e tij ndaj Pekinit, gjatë bisedimeve me një diplomat kryesor kinez, Yang Jiechi, në Romë, Itali.
Ai tha se, Amerika po vëzhgonte me shumë vëmendje shkallën në të cilën Kina po ofronte ndonjë mbështetje për pushtimin e Presidentit Putin.
Përpara takimit në Romë, zyrtarët amerikanë thanë se Rusia i kishte kërkuar tashmë Kinës ndihmë ushtarake.
Pekini e përshkroi atë deklaratë të SHBA-ve si dezinformatë.
Raporti më i fundit i inteligjencës amerikane, ka nxjerrë në dritë fakte të reja mbi luftën që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës, ku sipas burimeve zyrtare të medias Financial Times pranë Shtëpisë së Bardhë, Moska i ka kërkuar Pekinit ndihmë ushtarake që prej fillimit të luftës.
Pikërisht ky fakt, ka ngjallur frikë në Washington, pasi mendohet se kinezët mundet realisht t’ia japin Rusisë armët, në mënyrë direkte ose indirekte.
Një tjetër person pranë Qeverisë amerikane, ka thënë për Financial Times se SHBA-të po përgatiten po ashtu të paralajmërojnë aleatët mbi futjen e Kinës në lojë duke ndihmuar Rusinë. Gjë kjo, e cila do të shkaktonte trazira të mëdha si diplomatike, ashtu edhe ushtarake.
Në një raport paralel të inteligjencës, Rusia shfaqet e dobësuar në disa pajisje dhe municione. Pikërisht ky fakt e ka bërë Kremlinin t’i drejtohet aleatëve kinezë, të cilët nuk janë pozicionuar qartësisht kundër Moskës në këtë luftë.
Nga ana tjetër, ka pasur edhe një reagim të Ambasadës kineze në SHBA për pretendimet amerikane.
“Me rëndësi është të sigurohemi se situata nuk do të përshkallëzohet dhe nuk do të dalë nga kontrolli”.
Kjo është përgjigja e tyre e prerë dhe e shkurtër, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, pas pretendimeve amerikane se Pekini ka furnizuar Moskën me armë për të zhvilluar agresionin në Ukrainë.
Mbi vetë pretendimin, nuk ka asnjë përgjigje nga Pekini zyrtar apo selia diplomatike në Washington.
Gjithçka rrotullohet rreth faktit se me rëndësi është të shuhet konflikti mes Kievit dhe Moskës.