Shkarkimi i Veliut – Kurti e pranon se nuk u konsultua me Mustafën, siç e thotë marrëveshja, por vetëm e njoftoi pas vendimit

Edhe vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar se nuk ka zhvilluar asnjë konsultë me liderin e LDK-së, Isa Mustafa për shkarkimin e Agim Veliut nga posti i Ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike.

Në deklaratën e Qeverisë, që është lëshuar për vendimin e Kurtit, thuhet: “Kam njoftuar kryetarin e LDK-së për vendimin që kam marrë”. Pra askund nuk thuhet se ky vendim është konsultuar apo koordinuar paraprakisht, shkruan Reporteri.net.

“Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, ka shkruar ai.

Se nuk ishte konsultuar me LDK-në, e kishte konfirmuar edhe vetë Isa Mustafa.

“Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike. Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës”, ka thënë Mustafa.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kur janë marrë vesh për bashkëqeverisje, kanë rënë dakord edhe për mënyrën se si do të bëheshin shkarkimet e ministrave.

Në marrëveshjen e koalicionit qeverisës shkruan se kryeministri i shkarkon ministrat në konsultim me kryetarin e partisë me të cilën e ka bërë koalicionin.

“Emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Qeverisë dhe i zyrtarëve/trupave që emërohen dhe shkarkohen nga Qeveria: Zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat i propozohen Kryeministrit nga Kryetari i subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. Të njëjtit mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. E njëjta gjë vlen për të gjithë të emëruarit e tjerë nga Qeveria”, thuhet në marrëveshjen e LVV-së me LDK-në.