Dje në Suharekë i është shpëtuar jeta një foshnjës 3 muajshe, derisa mjekët i kishin nxjerrë një trup të huaj që i kishte hyrë në rrugët e frymëmarrjes.
Në Urgjencën e Qendrës Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Suharekë, dje një foshnje ka ardhur në rrezik për jetë, pasi që ishte ngulfatur me një trup të huaj që kishte depërtuar në rrugët e frymëmarrjes.
Siç njofton RadioVala, rasti është kryer nga stafi i Urgjencës së bashku me një doktorr suharekas që ka studiuar dhe punon në Gjermani, e që quhet Rilind Zenelaj.
Derisa ishte paraqitur rasti në QKMF, i pranishëm në Urgjencë ishte edhe Zenelaj që kishte shkuar për t’i vizituar kolegët dhe shokët që punojnë aty.
Me të parë gjendjen e foshnjës, sipas radios nga Suhareka, Rilind Zenelaj e ka marrë rastin përsipër dhe me anë të një kapëse metalike e ka larguar objektin e huaj nga foshnja që ishte bllokuar në rrugët e frymëmarrjes.
Trupi që u hoq nga fyti i fëmijës ishte një copë plastike e butë, por që nuk dihet se si kishte përfunduar aty brenda.
Pas ndihëms, për një orë është monitoruar gjendja e foshnjës dhe më pas është liruar për në shtëpi. /