Në veri të Kosovës fundjavën e kaluar janë djegur dy vetura me targa serbe të Rashkës dhe Novi Pazarit.
Pronari i tyre pretendon se nuk ka pasur mëri apo kacafytur me askënd dhe se nuk di kush janë autorët, shkruan portali serb në Kosovë, Kossev.
Danijel Daniloviç, ka theksuar se pranë veturave të djegura është gjetur një shishe me benzinë.
“Nuk kemi dyshime se kush e ka bërë, askujt nuk i kemi pasur inat, nuk jemi grindur”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai pretendon se autorët janë “ndoshta” të kombësisë serbe.
“Shqiptarët sigurisht që nuk kanë ardhur ta bëjnë këtë, ndoshta janë serbë, askush tjetër”, theksoi ai.
Policia e Kosovës nuk ka informacion për autorët, përkatësisht të dyshuarit, nga të cilët deklarojnë se hetimet janë duke vazhduar.
Por, Policia pati raportuar për djegien e veturave në raportin e saj 24 orësh të së dielës.
Organet e rendit kanë konfirmuar se në vend është gjetur një shishe me benzinë, me të cilën dyshohet se persona të panjohur kanë ndezur zjarrin.
Ndryshe gjatë vitit 2022, së paku 15 vetura u dogjën gjatë tensioneve në veri.