Sindikata e Shërbimeve Policore paralajmëron protesta për kushtet në burgje: Ka probleme me pagat, nuk ka siguri shëndeti në punë dhe mungon trajtimi ushqimor

Një grup punonjësish do të protestonin sot për komandimet e padrejta në burgun e Reçit, Malësi e Madhe si dhe për kushtet e vështira në vendin e punës. Pas denoncimit nga Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë, erdhi reagimi nga dikasteri i burgjeve duke njoftuar se të komanduarit do të rikthehen të martën në shërbim në Lezhë.

Por kjo nuk do t’i ndalë protestat. Në reagimin e sindikatës thuhet se po përgatiten për protestë në Tiranë për denoncimin e kushteve të vështira që po kalon policia e burgjeve.

“Pa uniforma; pa armatim personal; pa trajtim ushqimor; pa pagese për orët tepër; pa transport; pa siguri shëndeti ne pune; pa mjek e psikolog për stafin; pa grada e funksione sipas meritës; pa ambiente pushimi ne institucion; pa transparence pagash; me kontrate kolektive te bllokuar ne kundërshtim me Ligjin e shume te tjera”, janë disa prej kushteve të vështira që renditen nga Sindikata.

Ndër të tjera thuhet se vetë punonjësit i ftojnë që t’i mbështesin në protestë. Ata do të mblidhen për të denoncuar një sërë çështjesh që kalon çdo ditë Policia e Burgjeve. Sindikata thotë që për realizimin e kërkesave janë të motivuar që ta përcjellin denoncimin e padrejtësisë në çdo media e institucion ndërkombëtar.

“Sot denoncojmë mungesën e etikës në komunikim në mes epror vartës! Punonjësi i burgjeve është administrate publike, jo rekrut ushtrie. Denoncojmë problemet me pagat që ndodh nëpër burgje, ku asnjëra pagë nuk përputhet sipas bazës ligjore në fuqi e ditëve reale të punës që kryen punonjësi! Pa harruar që mungesat në organike janë alarmante në çdo burg të vendit dhe nëse vazhdon kjo sjellje shtetërore me demotivimin e stafit, problemet vetëm do agravohen”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë.