Kriza energjetike që ka prekur Kosovën ditëve të fundit po vërehet edhe në biznese.
Madje, një kafene në Ulpianë të Prishtinës është detyruar që gjatë kohës që nuk ka rrymë të ndezë qirinj për të bërë dritë, meqë nuk kanë gjenerator.
Pronari i këtij lokali, Fitim Ahmeti, ka thënë se mungesa e energjisë elektrike i ka paralizuar pasi gjatë kohës së reduktimeve nuk mund të ofrojnë asnjë shërbim.
“Mungesa e rrymës po na shkakton shumë vështirësi. Rryma na është ndalë në mëngjes nga ora 8:00 deri në orën 10:00 dhe në orar të njëjtë edhe në mbrëmje. Është shumë vështirë për shkak se rryma po ndalet pikërisht në kohën kur e kemi vrullin e punës. Fundi i muajit vjen shpejt dhe kemi shumë shpenzime si qiraja, fatura e energjisë elektrike, e ngrohjes, pagat për punëtorët, tatimet dhe të tjera. Kur jemi pa rrymë nuk mund të punojmë as me kuzhinë e as me kafe, pra nuk funksionon asgjë”.
Ai tha se pret që telashet me energjinë elektrike të zgjidhen shpejt, sepse përndryshe kjo do të godasë shumë bizneset.