Stuhitë e forta përfshijnë Ballkanin: Pamje nga Sllovenia, Kroacia e Serbia

Stuhi të fuqishme të shoqëruara me shi e breshër të madh kanë përfshirë Ballkanin.

Stuhia e fortë goditi fillimisht  në Slloveni, duke kaluar më pas në Kroaci e  duke mbërritur edhe në Serbi e Bosnjë.

Në disa pjesë të Sllovenisë ka rënë breshër i madh.

Në vetëm pak minuta ra një sasi e madhe shiu në Zagreb dhe era theu degë dhe rrëzoi pemë duke çuar edhe në bllokim të trafikut.

Stuhia e fortë e shoqëruar me reshje shiu dhe breshër të madh, ka prekur sidomos pjesë të qarkut Vukovar-Srijem, duke shkaktuar dëme materiale.

Stuhia më e fortë u ndje në  fshatin Zupanje, e cila, së bashku me erën e fortë dhe shiun e dendur, u shoqërua edhe me breshër të  madh.

Në disa pamje të publikuara, shihet se nuk ka shtëpi të cilës nuk i janë dëmtuar tjegullat e muret.

 

Moti i ashpër më vonë ka arritur në Novi Sad të Serbisë, e më pas ka prekur edhe Beogradin, ku në kryeqytetin serb ka pasur vetëtima, erë e fortë dhe shi i madh. Në disa zona raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike.