Një incident që dyshohet se ka ndodhur te xhamia e fshatit Gjonaj në Prizren, ku është përfshirë një zyrtar policor, ka pasuar me suspendimin e këtij të fundit. Rreshteri i Njësisë së Trafikut, Mehmet Osmanollaj, u denoncua nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, ndërsa versionin e tij e ka dhënë edhe rreshteri policor ndaj të cilit kanë nisur hetimet nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur te xhamia e fshatit Gjonaj, ku rreshteri Osmanollaj, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, u përfshi në një konflikt verbal me dy zyrtare të Bashkësisë Islame në Prizren.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, rreshteri Osmanollaj, ka deklaruar se nuk e ka kërcënuar askënd pasi sipas tij nuk ka pasur ndonjë sherr për të cilin do të duhej të njoftohej Policia.
Siç thote ai, rasti ka ndodhur në afërsi të xhamisë, ku dy gra që sipas tij janë prezantuar nga BIK, po iu shpërndanin disa fëmijëve biskota, situatë kjo që e ka shtyrë të interesohet se çfarë po ndodhë.
“Arsyeja për shkak se une si qytetar, edhe si zyrtar, në rroba civile kam qenë, kam kalu afër xhamisë në fshatin Gjonaj dhe aty nja dy gra kanë qenë duke shpërnda keksa fëmijëve. Është normale që të intereson se çka po ndodhë. I pyta se çka po ndodhë, tha nuk është puna jote, jemi të BIK. Iu thash a keni leter, thanë jo”, tha ai për Sinjalin.
Ai thotë se pas kësaj bisede, është raportuar në Polici, ndonëse asgjë nuk ka ndodhur më shumë.
Sipas informacioneve të para, Osmanollaj i është drejtuar viktimave me fjalët “ta heki krytë”, por një gjë të tillë e ka mohuar katergorikisht rreshteri policor.
“Jonë shku ne Polici qe gjoja se i kom kërcënu, amo nuk i kom kërcënu. Edhe më pas jom suspendu. Kurgjo ma dhumë nuk ka pasë aty. Asnjë vepër penale kurrë në jetë nuk e kom. Jo jo jo, nuk muj me kërcenu kërkond…”, përfundoi Osmanollaj.
Rreshteri policor është suspenduar për 72 orë me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Policise në Prizren, Faton Aliu.
“Po, e vërtetë është, me rekomandim te IPK-se është suspenduar për 72 orë, pasi ka ardhe një ankesë për të.”, tha Aliu për Sinjalin.
Për korrektësi, Sinjali ka kontaktuar edhe Besim Berishën, kreun e KBI, në Prizren, për të marre anën e tyre të historisë, për atë qe ka ndodhur, por i njëjti vetëm e ka konfirmuar denoncimin e rastit, duke refuzuar të jap detaje.
“Po, dje e kemi denoncuar rastin. A e kam obligim me ju përgjigjë juve? E kemi dhenë në Polici dhe IPK. Versioni ynë është i njëjtë atë që kemi dhënë në polici.”, tha Berisha.
Përkundër insistimit të Sinjalit, i njëjti ka thënë se mund të deklarohet vetëm live dhe jo përmes telefonit.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.