Takimi trepalësh në Bruksel, midis Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zgjasë deri në orët e vona të së enjtes.
Ai kishte filluar më vonë sesa që planifikohej, teksa i kishin paraprirë takimet ndaraz të Borrellit fillimisht me Hotin, e pastaj edhe me Vuçiqin.
Nga BE-ja është paralajmëruar se krahas çështjeve të paralajmëruara për diskutim, do të flitet edhe për marrëveshjet që janë arritur kohë më parë dhe që nuk janë zbatuar në tërësi, apo nuk janë zbatuar fare.
Nga selia e BE-së insistohet se blloku evropian është lehtësuesi kryesor në dialog, prandaj edhe Borrelli në prononcimin e tij vlerësoi se po e merr në dorë udhëheqjen e dialogut, duke u kërkuar palëve qasje kontruktive.