Nga Douglas Murray, The Spectator
Këtë javë SHBA u dorëzoi talebanëve aeroportin e Kabulit, çka që ishte shumë e rëndë. Thuhet se trupat e fundit amerikane që ikën nga Afganistani u larguan duke pasur përballë një “njësi elite” të talebanëve.
Në një ngjarje finale që edhe skenaristi më distopian do ta kishte të vështirë ta shpikte, njësia elitë talebane ishte e pajisur me mjetet dhe armët amerikane. Ai moment ishte kulmi i një periudhe 2-javore të cilën Shtëpia e Bardhë po përpiqet ende qëta paraqesë si një sukses.
Ata këmbëngulin se kanë realizuar një nga evakuimet ajrore më të mëdha në histori. Në realitet administrata e Joe Biden, ka shënuar një “arritje” që pak nga ne e mendonim të mundshme. Një humbje ushtarako-politike, pasojat e së cilës përkeqësohen nga dita në ditë.
Për shembull,çështjen e pajisjeve që kanë pasur amerikanët.
Unë jam i sigurt se tani të gjithë i kanë parë listat e armatimeve që SHBA ia dha ushtrisë afgane, e cila u shpërbë shumë shpejt, dhe të cilën Amerika dhe aleatët e saj u përpoqën ta stërvitnin për dy dekada. Talebanët trashëguan të gjithë arsenalin e mundshëm të asaj ushtrie. Këtu përfshihen 33 helikopterë Black Hawk, 43 helikopterë MD 530, 32 helikopterë Mi-17, 23 avionë
Luftarakë A-29, të paktën 33 avionë të tjerë sulmues, dhe 3 avionë gjigantë Hercules. Falë taksapaguesve amerikanë, talebanët tani kanë më shumë helikopterë sulmues sesa Britania e Madhe dhe janë të armatosur më mirë sesa thuajse çdo vend i NATO-s, përveç SHBA-së.
Kur këto fakte u raportuan këtë javë, një pjesë e analistëve u përpoqën sërish ta zhdramatizonin situatën.
Këta avokatë të presidentit Biden,këmbëngulin se nuk ka rëndësi që talebanët kanë tashmë kontrollin e të gjithë këtyre helikopterëve Black Hawk. Sepse nuk mund të pritet që një grup çobanësh, të cilët mezi kanë mësuar të përdorin motorrët e tyre të vjetër e të ndryshkur sovjetikë, të stërviten si pilotë helikopteri?
Por sikur të ishin duke dëgjuar nga pas derës, talebanët filluan t’i ngrenë në ajër helikopterët mbi qiellin e Kabulit. E vetëdijshme mbi rrezikun, ushtria amerikane pretendon tani se ka çaktivizuar disa nga pajisjet që la pas. Gjenerali McKenzie theksoi se para se të largohej nga aeroporti i Kabulit, ushtria amerikane çaktivizoi përgjithmonë 150 automjete dhe avionë në mënyrë që ato “të mos përdoren më kurrë”.
Raportohet se sistemi i mbrojtjes ajrore raketore u mbajt aktiv deri në minutën e fundit dhe më pas u ç’aktivizua. Sigurisht që ky është një lajm i mirë. Por përveç këtij aspekti, është e vështirë të shihet se çfarë ka tjetër për t’u cilësuar sukses.
Për shembull, nuk thuhet nëse SHBA arriti gjatë tërheqjes së saj të nxituar, që të ç’aktivizonte 350.000 pushkë sulmi, 126.000 pistoleta, 1.000 automjete të blinduara, 64.000 mitralozë, 22.000 kamionë dhe 42.000 kamionçina dhe mjetë të tjera.
Sepse ndërsa talebanët mund të jenë më të armatosur sesa shumica e vendeve perëndimore, fakt është që ata nuk i përdorin aftësitë e tyre ushtarake për qëllime të ngjashme. Këtë javë një nga helikopterët e rinj të talebanëve fluturoi mbi Kandahar. Në të ishte varur në litar trupi i një burri, duke çuar në spekulime të menjëhershme se ai ishte një përkthyes afgan.
Varja e armiqve tuaj nga një helikopter është tipike e talebanëve. Si të gjithë islamikët radikalë, talebanët janë mjaft të aftë në akte të tilla. Ata e urrejnë modernitetin dhe gjithçka që Perëndimi modern i ka sjellë botës. Por ata janë shumë të lumtur t’i shfrytëzojnë frytet e atij moderniteti kundër vetë atij.
Fuqitë e mposhtura po luajnë lojën e “talebanëve të reformuar”, për t’i blerë vetes sado pak kohë në atë që duket se do të jetë një lojë e gjatë poshtërimi. Ministrja kanadeze për Barazinë Gjinore, Maryam Monsef, iu drejtua drejtpërdrejt talebanëve javën e kaluar. Në një video-mesazh ajo i bëri thirrje “vëllezërve tanë talebanëve”, që të sigurojnë kalimin e sigurt nga Afganistani të kujtdo që dëshiron të largohet.
Megjithatë, në këtë garë poshtëruese me “talebanët e moderuar”, stafetën e mban përfaqësuesi special i SHBA-së në Afganistan, Zalmay Khalilzad. Kur po largoheshin trupat e fundit amerikane, Khalilzad tha se tani talebanët “përballen me një test”. Dhe cili është ai? “Nëse mundtë ngrinin në ajër një Black Hawk që ditën e parë, sa ditë do të duheshin që të ngrinin të gjithë flotën në fluturim?”. Jo, sipas Khalilzad, testi i madh për talebanët është:“A mund ta udhëheqin ata vendin e tyre drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë, ku të gjithë qytetarët e tyre, burra dhe gra, të kenë shansin për të arritur potencialin e tyre?”
Te vetme gjëra që nuk u dhanë amerikanët talebanëve ishte aftësia për të drejtuar dronët. Të paktën atje Amerika ka ende një avantazh mbi ta. Ndoshta tani do të ishte koha e duhur për ta përdorur këtë. /Përktheu: Alket Goce