Rojat kufitare të Iranit dhe talibanët u dhanë fund përleshjeve përgjatë një segmenti të kufirit. Mediet shtetërore iraniane thanë se ky ishte një keqkuptim nga ana afgane.
Mediumi shtetëror iranian, IRNA, raportoi të mërkurën se përleshjet përfunduan “me intervenimin dhe bisedimet e forcave të sigurisë dhe situata në zonë tani është e qetë”, shkruan Free Europe.
Video të pavërtetuara, të publikuara nga agjencia afgane e lajmeve, Aamaj, shfaqnin roja kufitare iraniane dhe luftëtarë talibanë duke shkëmbyer të shtëna përgjatë një muri kufitar afër provincës afgane, Nimroz.
Mediet shtetërore iraniane thanë se përleshja shpërtheu rreth paqartësisë së talibanëve për vijën zyrtare të kufirit.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, Tasnim, tha se Irani ka ndërtuar një mur kufitar qindra metra brenda kufirit zyrtar me Afganistanin për t’i penguar trafikantët.
Raportohet se fermerët iranianë kaluan në anën tjetër të murit për ta shfrytëzuar tokën brenda kufijve të Iranit, por për shkak të murit, talibanët menduan se janë shkelur kufijtë e Afganistanit.