“Të bashkuar në betejë”, opozita në protestë para kryeministrisë

“Të bashkuar në betejë”, me këtë slogan ka nisur rreth orës 20: 19 marshimi i opozitës nga selia e PD-së drejt bulevardit “Dëshmorët e kombit” për të vijuar para kryeministrisë. Siç është bërë tashmë e ditur protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike si garanci për zgjedhje të lira dhe lirimin e Sali Berishës. 

Mësohet se në podium do të mbajnë fjalime: Edmond Budina, Donika Haxhia, Edvin Cami, Artemisa Zenuni, Erion Dasho, Artemisa Halili, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Ish-kryeministri pritet të mbajë një fjalim me videocall nga shtëpia ku ndodhet në “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani”.

Kjo është protesta e parë kombëtare e Partisë Demokratike pasi gjykata e Apelit i dha vulën dhe siglën e partisë.

Mbi 1200 policë dhe forca të sigurisë janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në protestë. Përveç Policisë së Tiranës janë angazhuar edhe efektivët e Repartit Shqiponja, si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. policët janë pajisur me skafandra dhe mburoja.

Kërkesa për zgjatjen e protestës është bërë për deri në orën 24:00, por është miratuar për deri në orën 22:00.