SPORT

Shaboviq që do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën Verore: Etnia ime s’ka qenë kurrë kaq shumë nën mikroskop

Adell Shaboviq është tejet i emocionuar që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore, Parisi 2024.

“Nuk mund të jem më krenar se kaq”, thotë ai, dy javë përpara se të udhëtojë për në Francë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, shton se kultura dhe përkatësia e tij etnike nuk kanë qenë kurrë kaq shumë “nën mikroskop”.

Adelli, 21 vjeç, është pjesë e ekipit të notit në Universitetin Princeton në ShBA.

Me prejardhje është nga qyteti i Pejës në Kosovë, por i lindur dhe i rritur në Bruklin të Nju Jorkut. Familja e tij jeton prej dekadash në ShBA.

Në Olimpiadën Parisi 2024, Adelli do të marrë pjesë në garën stil i lirë prej 100 metrash.

Kjo i është mundësuar me ftesë të World Aquatics – e njohur deri vonë si Federation Internationale de Natation, apo Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit – si atlet i rangut më të lartë të Kosovës në ato që njihen si Universality Places në Parisi 2024.

Ftesa është konfirmuar më pas nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Për Adellin, i cila ka dy shtetësi – edhe të ShBA-së, edhe të Kosovës – ta përfaqësosh Kosovën është një ëndërr e realizuar.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se rrugëtimin për te gara për Kosovën e ka nisur nga “dashuria ndaj babait, familjes së tij të madhe dhe prejardhjes së gjakut të tij”.

Thotë se këtë ka nisur ta ndiejë herët në karrierën e tij të notit, të cilën e ka nisur si 10-vjeçar në një pishinë në Bruklin, ku edhe jetonte.

“Në fillim nuk isha shumë i mirë, por, sigurisht, vazhdoja të provoja dhe vazhdoja të notoja. Dhe, vazhdoja të bëhesha gjithnjë e më i mirë”, thotë Adelli.

Pas disa vitesh punë të madhe dhe not të shpejtë, ai thotë se ka rënë në kontakt me njerëzit e duhur në Kosovë dhe se ka nisur procesin e përfaqësimit të vendit – fillimisht duke u pranuar në Federatën e Notit të Kosovës dhe më vonë duke iu bashkuar klubit vendas, Ilirida, nga Fushë Kosova.

“Sigurisht që ka qenë një udhëtim shumë i gjatë, por jam jashtëzakonisht i emocionuar për kohën që po vjen”, thotë Adelli.

Pse Kosova dhe jo ShBA-ja? Adelli thotë se, thjesht, nuk ndihet njësoj për to.

“Nëse dal mirë në një garë që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, kjo nuk e sjell të njëjtin gëzim. Kur e përfaqësoj Kosovën, të gjithë [në familje] e dinë se çka po ndodh”, thotë ai.

Mbështetja e familjes thotë se ka qenë vendimtare për të. Dhe, kur e mori lajmin…

“… nuk e di nëse e kam parë ndonjëherë babanë tim duke buzëqeshur ashtu siç ka buzëqeshur kur ka mësuar se do ta përfaqësoj vendin”, thotë Adelli.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…

8 orë ago
  • POLITIKE

Spaho: Vetëm një i leshtë mund të mendojë që kjo protestë nuk është e manipuluar, është komplot kundër vendit

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…

12 orë ago
  • POLITIKE

“Serbia si Rusia, ata si vendet baltike”, “Jeta e Vuçiç në rrezik”, ai shkon në Mal të zi: Do them gjithçka

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…

12 orë ago
  • KRYESORE

Katy Perry, emri i parë i madh në “Sunny Hillin” e sivjetmë

Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…

15 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, autori me të shkuar kriminale, një vit më parë tërhoqi zvarrë me kalë një person

Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…

19 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrasja e policit në Maliq/ Autori jetonte në pyll me nënën e tij, fshihte arsenal armësh në stan

Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm…

21 orë ago