Tetë zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe një pjesëtar i Policisë Kufitare, u arrestuan gjatë aksionit të 18 nëntorit në veri të Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale, Dogana dhe Inspektorati Policor i Kosovës thanë se bastisje u kryen në 11 lokacione.
Prokuroria bëri të ditur se dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor.
Autoritetet bënë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale për të mbështetur procedurën hetimore, sikurse: 20 plomba zyrtare të Doganës, dhjetë telefona dhe katër sim kartela, një pistoletë me leje me tre karikator dhe nëntë fishekë dhe 16 copë municion jozyrtar.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka thënë se nuk bëhet fjalë për kontrolle vetëm në pjesën veriore të vendit, por në 11 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës, ku këta zyrtarë kanë qenë duke vepruar.
“Në bazë të dëshmive që janë mbledhur nga masat e fshehta të hetimit, konsiderohet që kanë bërë vepra që kategorizohen si keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe korrupsion për disa zyrtarë. Nuk është se lidhen shumë me kontrabandën, më shumë lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zbatimit të autorizimeve ligjore, kanë bërë lëshime të ndryshme për përfitime personale”, tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet kryejnë aksion në Doganat e Kosovës për të luftuar veprat penale që lidhen me marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.
Në mars të vitit 2022, ishin arrestuar dhjetëra policë dhe doganierë nën dyshimet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Aksioni atëbotë ishte kryer në Gjakovë dhe Prizren dhe zyrtarët e arrestuar ishin dyshuar për pjesëmarrje në qindra aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.
Ndryshe, në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – autoritetet viteve të fundit kanë mbyllur disa rrugë ilegale që janë përdorur për të kontrabanuar mallra nga Serbia.