Telefonata kërcënuese e Bidenit ndaj Putinit

Telefonata mes dy liderëve është realizuar vetëm pak orë pasi SHBA-ja tërhoqi forcat e saj nga Ukraina dhe urdhëroi evakuimin e shumicës së stafit të ambasadës për shkak të frikës se pushtimi rus mund të nisë gjatë ditëve të ardhshme. Këto vendime janë një tjetër shenjë se SHBA-ja frikësohet se Putini mund të urdhërojë pushtimin në çdo kohë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ia ka tërhequr vërejtjen presidentit rus, Vladimir Putin, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj do të reagojnë me vendosmëri dhe se do të ketë pasoja të rënda për Rusinë nëse ai vendos ta pushtojë Ukrainën.

Në bisedën telefonike që zgjati pothuajse një orë të shtunën në mbrëmje, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Bideni ia ka bërë të qartë Putinit se çfarë e pret në rast se e pushton Ukrainën.

“Presidenti Biden ishte i qartë se, nëse Rusia ndërmerr çfarëdo pushtimi të Ukrainës, SHBA-ja së bashku me aleatët tanë dhe partnerët do të përgjigjen me vendosmëri dhe do të vendosin çmimin mbi Rusinë. Presidenti Biden ka përsëritur se pushtimi rus i Ukrainës do të prodhonte vuajtje njerëzore dhe do të zbehte qëndrimin e Rusisë”, thuhej në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, derisa shtohej se “Bideni ishte i qartë me Putinin se teksa SHBA-ja mbetet e angazhuar në diplomaci, në koordinim me aleatët dhe partnerët, ne jemi të përgatitur për skenarë të tjerë”.

Telefonata mes dy liderëve është realizuar vetëm pak orë pasi SHBA-ja tërhoqi forcat e saj nga Ukraina dhe urdhëroi evakuimin e shumicës së stafit të ambasadës për shkak të frikës se pushtimi rus mund të nisë gjatë ditëve të ardhshme. Këto vendime janë një tjetër shenjë se SHBA-ja frikësohet se Putini mund të urdhërojë pushtimin në çdo kohë. Shenjat vijnë vetëm pak ditë pasi këshilltari i Bidenit për sigurinë kombëtare kërkoi nga amerikanët në Ukrainë që të largohen dhe se aksioni ushtarak mund të nisë me një sulm ajror që mund të vrasë civilë.

Pak para telefonatës, Ministria ruse e Punëve të Jashtme ka akuzuar shtetet perëndimore dhe mediat për nisjen e një fushate të keqinformimit në lidhje me pushtimin e mundshëm të Ukrainës me qëllim që të largojnë vëmendjen nga veprimet e tyre agresive.

“Në fillim të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022, hapësira botërore e informimit është zënë me një fushatë të paprecedentë në shkallë, sofistikim dhe qëllim, me planin që të bindë komunitetin ndërkombëtar se Federata Ruse është duke u bërë gati për pushtim të territorit të Ukrainës”, thuhej në komunikatën e Ministrisë ruse.

Bisedat e liderëve

Putini dhe Bideni për herë të fundit kanë zhvilluar bisedë telefonike në vitin e kaluar. Para telefonatës, më 7 dhjetor, ata patën negocime nëpërmjet një video-konference. Takimi i parë sy më sy mes Putinit dhe Bidenit si liderë shtetesh u bë në Gjenevë në qershorin e vitit 2021.

Presidenti rus gjithashtu është përfshirë në seri të bisedimeve me liderë të tjerë perëndimorë. Deri më tani, këto bisedime nuk kanë pasur asnjë efekt për qetësimin e situatës.

Telefonatat e fundjavës nga Putini janë përcjellë me paralajmërimet e së premtes nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë, të cilët kanë shprehur shqetësimet për sigurinë e Evropës dhe të qytetarëve të tyre në Ukrainë.

SHBA-ja ka vlerësuar se Rusia ka më shumë se 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën. Vetëm gjatë kësaj jave në kufi kanë ardhur mijëra të tjerë, ka vlerësuar një zyrtar i administratës së Bidenit.

Bideni, i cili gjatë fundjavës ka qëndruar në Kampin David, mori pjesë në një takim virtual nga Shtëpia e Bardhë me liderët e Kanadasë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë, NATO-s, Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian. Ky takim virtual u mbajt në lidhje me tensionet në rritje në Ukrainë.

Pas telefonatës, këshilltari i Bidenit për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, doli në një konferencë për media për të thënë se Putini ende nuk ka vendosur për veprime. Mirëpo, ai ka shtuar se ka shumë gjasa që Rusia të përfshihet në një aksion të madh ushtarak.

Evakuimi i amerikanëve

Sullivan ka tërhequr vërejtjen se sulmi rus mbi Ukrainën mund të fillojë shpejt. Kjo, sipas tij, mund të nisë me bombardimet ajrore dhe sulmet raketore.

“Natyrisht se nuk mund ta parashikojmë të ardhmen. Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë do të ndodhë, mirëpo rreziku dhe kërcënimi tani janë të lartë dhe kjo është çfarë kërkon maturia”, ka thënë Sullivan.

Ai gjithashtu ka deklaruar se shërbimet konsullore do të pezullohen, mirëpo ka theksuar se një prani e vogël diplomatike do të mbetet në qytetin e Lvivit në perëndim të Ukrainës, rreth 50 milje nga kufiri polak, për t’i trajtuar emergjencat.

Administrata e Bidenit është duke diskutuar mundësinë e tërheqjes së punonjësve të tjerë të Qeverisë amerikane nga Ukraina. Të premten, një diplomat britanik ka thënë për CNN-in se Ambasada britanike në Kiev “po largon përkohësisht të gjithë stafin jothelbësor dhe vartësit” dhe “një ekip thelbësor do të mbetet për të vazhduar me detyrat e rëndësishme”.

Një tjetër zyrtar i lartë i mbrojtjes ka thënë për CNN-in se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte urdhëruar 3,000 ushtarë të tjerë nga Divizioni i 82-të Ajror që të vendoseshin në Poloni, duke iu bashkuar 1,700 trupave që tashmë janë atje. Ushtarët janë vendosur për të ndihmuar amerikanët që mund të përpiqen të largohen nga Ukraina.

Përgatitjet në Kiev

Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, kryebashkiaku Vitali Klitschko përshkroi përgatitjet që po ndërmerr qyteti për t’i mbrojtur “objektet e infrastrukturës kritike dhe sociale” në “rastin e një emergjence të mundshme”.

Në deklaratën e publikuar në Telegram përpara fundjavës, Klitschko ka thënë: “Përpjekjet tona kanë për qëllim parandalimin ose tejkalimin e provokimeve të mundshme dhe përballimin e një sulmi ushtarak”.

Klitschko ka shtuar se përpjekjet përfshinin gjenerimin e prodhimit shtesë të energjisë elektrike dhe krijimin e rezervave të karburantit, si dhe organizimin e forcave për brigadën territoriale për ta mbrojtur qytetin. Ai përshkroi gjithashtu gjendjen aktuale të strukturave të strehimoreve në qytet dhe tha se komisionet e evakuimit po ngrihen gjithashtu.

“Janë instaluar gjeneratorë elektrikë për funksionim të pandërprerë në situatën emergjente të sistemeve të menaxhimit të qytetit dhe termocentraleve të kryeqytetit për një periudhë deri në 10 ditë. Bizneset kanë një lidhje të garantuar të pandërprerë në mungesë të komunikimeve celulare dhe internetit”, thuhej në deklaratën e Klitschkos.

Ndërkohë të shtunën, forcat ukrainase kanë mbajtur disa ushtrime në rajonin e Kersonit, 30 kilometra larg Krimesë, në ditën kur shtetet perëndimore u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të largohen nga Ukraina. Në këto ushtrime, më shumë se 1 mijë policë ukrainas morën pjesë në ushtrimet që kishin për qëllim reagimin me kohë ndaj faktorëve destabilizues. Bideni ka insistuar se Ushtria amerikane nuk do të hyjë në luftën e Ukrainës, por ka premtuar sanksione të ashpra ekonomike kundër Moskës.