Tensionet po rriten mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit rus të mbrojtjes Sergei Shoigu.
Kjo, për faktin se shefi i Kremlin-it nuk është njoftuar për humbjet reale të Forcave të Armatosura ruse në Ukrainë.
Lajmin e publikon prestigjiozja amerikane “New York Times”, e cila citon burime në inteligjencën amerikane.
Vetë botimi dyshon nëse është e vërtetë që Putin-i nuk është plotësisht i informuar për rrjedhën e luftimeve.
Shtëpia e Bardhë theksoi se këshilltarët e presidentit rus po e keqinformojnë atë, duke heshtur për dështimin e ofensivës dhe pasojat reale të sanksioneve perëndimore.
Gazetarët amerikanë sugjerojnë se bombardimi i Chernihiv-it pas deklaratave të Rusisë për tërheqjen e supozuar të trupave “dëshmojnë gjithashtu çakordimin në mesazhet e Kremlin-it”.
Megjithatë, qëllimi përfundimtar i shefit të Kremlin-it mbetet i paqartë, cilësoi gazeta amerikane në përmbyllje.
Më herët, Pentagon-i dyshoi nëse Putin caktoi një person përgjegjës për “operacionin special” në Ukrainë.
Sipas të dhënave të fundit nga Shtabi i Përgjithshëm ukrainas, që nga fillimi i luftës, janë shkatërruar më shumë se 17 mijë forca ruse dhe qindra tanke.
Por Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse raporton humbje shumë më të vogla.