Pas një shpërthimi të fuqishëm që shkatërroi një pjesë të urës së Kerçit, e cila lidh gadishullin e okupuar ukrainas të Krimesë me Rusinë, herët në mëngjesin e së shtunës, filluan menjëherë spekulimet se si ura ishte sulmuar.
Rusët pretendojnë se shpërtheu një “kamion bombë” dhe akuzuan forcat ukrainase për një “akt terrorist”.
Dhe ndërsa shumë janë të prirur të pajtohen se një pjesë e urës u hodh në erë nga një sasi e madhe eksplozivi e vendosur në një kamion, analisti i shquar britanik i sigurisë dhe mbrojtjes, profesor Michael Clarke , e konsideron atë pretendim “absurd”.
“Nëse është vërtet një shpërthim në vetë urën, e kam të vështirë të besoj se mund të vendosni një sasi kaq të madhe eksplozivi në një automjet që kalon urën. Në fund të fundit, urat janë krijuar për t’i bërë ballë atij lloj sulmi apo aksidenti”, tha Clarke për Sky News .
“Për mendimin tim, çështja këtu është ose një raketë, e cila do të duhej të ishte më e madhe dhe më e fuqishme se çdo gjë që supozohet se kanë ukrainasit, ose sabotimi nga forcat speciale që vendosën eksploziv nën urë vetë. Nëse është vërtet një operacion i forcave speciale ukrainase, Hollivudi do të bëjë filma për të në vitet e ardhshme, sepse do të ishte një fitore vërtet e madhe. Vendosja e kaq shumë eksploziv nën urë, thellë në territorin e kontrolluar nga rusët, është një akt vërtetë i guximshëm dhe një fitore e madhe”, thotë Clarke.
Kjo mund të krahasohet me fundosjen e Moskës për sa i përket rëndësisë simbolike të sulmit ndaj forcave ruse, shtoi Clarke.
Analisti britanik më pas shpjegoi se shkatërrimi i mundshëm i urës do të shkaktonte probleme të mëdha logjistike për rusët, të cilët do të mbeteshin pa një linjë kryesore furnizimi për Krimenë, si dhe për rajonin Kherson.
“Në atë rast, pajisjet dhe furnizimet ushtarake duhet të transportohen ose me tragete ose përmes një linje hekurudhore që kalon në pjesën jugore të Ukrainës, e cila mund të jetë nën sulmin e artilerisë ukrainase. Vlerësimi im është se me këtë lloj sulmi, i cili nuk e shkatërroi plotësisht urën, veçanërisht pjesën e saj hekurudhore, ukrainasit fituan dy-tre javë para se rusët të arrinin të riparonin gjithçka”, thotë Clarke
Në fund, Clarke theksoi se kjo është gjithashtu një goditje e madhe për krenarinë e presidentit rus Vladimir Putin, i cili hapi urën e Kerçit në vitin 2018 me bujë të madhe.
-Për të, kjo urë ishte një simbol që Krimea është pjesë e Rusisë. Dhe ukrainasit i thanë atij me këtë sulm se – nuk është.