Kryeministria ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar në gazetën britanike “The Sun” se Britania e Madhe dhe Shqipëria po negociojnë për ngritjen një kampi refugjatësh në Shqipëri. Drejtori i Komunikimit i këtij dikasteri, Endri Fuga, tha se ky lajm nuk është i vërtetë dhe se Shqipëria nuk do të pres emigrantë ilegalë nga vendet që janë më të pasura, pasi ajo është detyrë e tyre dhe jo e shqiptarëve.
“Lajmi se Shqipëria do ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne”, shkruan Fuga në Twitter.
Sipas medias britanike “The Sun” negociatat mes Tiranës zyrtare dhe Britanisë së madhe janë në rrugë të mbarë për ngritjen e një qendre të emigrantëve ilegalë që kapen në Britaninë e Madhe. Sipas kësaj gazete parashikohet që emigrantët që kalojnë kanalin nga Franca për në Mbretërinë e Bashkuar do të ndalohen dhe do të sillen në Shqipëri në një kamp, deri në përpunimin e kërkesave të tyre për azil. Por ky lajm tashmë është mohuar nga qeveria shqiptare.