Kryetari i Këshillit të Lagjes së Boshnjakëve, Fevzi Beqiri ka lëshuar alarmin për gjendjen e shqiptarëve në veriun e Mitrovicës.
Fevzi Beqiri ka thënë se shqiptarët e veriut po kanë brenga të shumta pasi spastrimi etnik i shqiptarëve po vazhdon në këtë pjesë të Kosovës.
“Ka filluar përsëri shitja e pronave të shqiptarëve e që të njëjtat po i blenë qeveria e Serbisë. Në ato prona ndërtohen ndërtesa gjashtë katëshe. Ky është një spastrim etnik modern në mënyrë të heshtur. Dihet se deri në kohën e luftës shqiptarët kanë përbërë 80% të pjesës veriore të Mitrovicës”, tha ai pdukagjinin
Duke folur për situatën epidemiologjike, Beqiri thotë se për fat të mirë në Lagjen e Boshnjakëve nuk ka pasur persona të prekur nga COVID-19.
“Falënderojmë Këshillin Komunal dhe Ministrinë e Shëndetësisë që për herë të parë pas 21 viteve na ofrojnë mjekun dhe infermieren”, tha tutje Beqiri
Kryetari i Këshillit të Lagjes së Boshnjakëve thotë se shqiptarët e kësaj lagjeje deri më tani janë detyruar që shërbimet primare shëndetësore t’i marrin në pjesën jugore të qytetit.