Tri pika kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë janë të mbyllura për qarkullim.
Përveç Jarinjës dhe Brnjakut që janë mbyllur para gati tri javëve, të martën në mbrëmje është mbyllur për qarkullim edhe pika kufitare në Merdar.
Ajo është mbyllur pasi që në Serbi, në rrugën që çon në këtë pikë kufitare, është vendosur një barrikadë. Sipas raportimeve aty janë duke qëndruar 15-20 persona.
Për mbylljen e kësaj pike ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Kosovës. Ministria u ka bërë thirrje të gjithëve që janë duke udhëtuar drejt Kosovës përmes Serbisë, që t’i ikin pikës kufitare në Merdar dhe të shfrytëzojnë pikat e tjera.
Sipas MPJ-së “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdar”.
“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Mërgimtarët që kanë qenë duke ardhur në Kosovë, janë detyruar të kthehen dhe të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.
Të hapura kanë mbutuar tri pika kufitare me Serbinë, Dheu i Bardhë, Mutivoda dhe Muçibaba. Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në këto pika nuk ka pritje të gjata. Sipas përditësimit të fundit të Qendrës, që është bërë rreth orës 8 të mëngjesit, te Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova, janë 10-15 minuta. Ndërsa në Mutivodë dhe Muçibabë, pritjet për të hyrë dhe dalë, janë 3-5 minuta.