LAJME

Trump paralajmëron dëbime masive nga SHBA, por ky plan rrezikon t’i kthehet në bomerang

“Ne duhet të fillojmë me kriminelët e pastaj kalojmë tek të tjerët.” Në intervistën e tij të parë televizive pas fitores së zgjedhjeve, presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump, tha në NBC News se premtimi i tij gjatë fushatës për të dëbuar miliona emigrantë të paligjshëm nuk është vetëm fjalë boshe. “Duhet të bëhet, edhe nëse do të jetë shumë e vështirë”, tha Trump. Që në ditën e parë të presidencës së tij, ai dëshiron të nisë operacionin më të madh të dëbimit në historinë e SHBA-së.

“Do të ketë deportime masive”

Njeriu që duhet të kujdeset për këtë është Thomas Homan. Trump emëroi ish-kreun e agjencisë amerikane të mbrojtjes së kufijve ICE, të njohur për gjuhën e tij të ashpër, si përgjigjës për këtë çështje. Ai e bëri të qartë gjatë një vizite në kufirin e Teksasit në fund të nëntorit: “Do të ketë deportime masive”. Homan theksoi po ashtu se realizimi mund të fillojë pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar.

Ai tha se planet tashmë kanë filluar dhe shtoi se qëllimi është të garantojë sigurinë më të mirë të mundshme për SHBA-në. “Ne do të përfundojmë punën e Trump”, tha Homan.

Kritikët i quajnë planet “të turpshme”

Këto plane janë shumë të diskutueshme. Alberto Benitez, profesor i drejtësisë dhe avokat i imigracionit, thotë se ajo që bëri administrata Trump gjatë mandatit të parë dhe ajo që ekipi i tij beson se mund të bëjë tani është e turpshme, jo-amerikane dhe e paligjshme.

Profesori drejton një “klinikë imigrimi” në Universitetin George Washington, e cila këshillon emigrantët. Që nga fitorja e Trumpit në zgjedhje, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë mbështetje atje. Në vlerësime thuhet se 11 deri në 12 milionë emigrantë pa dokumenta jetojnë aktualisht në SHBA. Planet e Trumpit për dëbime janë ende të paqarta, sepse nuk dihet saktë se kush duhet të deportohet.

Benitez thotë, se Trump dhe ekipi i tij po luajnë me frikën e njerëzve. “Një pjesë e kësaj frike është se ne nuk e dimë se çfarë do të bëjnë ata”, tha Benitez. Por ai e di se çfarë nuk mund të bëjnë: të dëbojnë dymbëdhjetë milionë njerëz. Ai mendon se për këtë SHBA dhe administrata Trump nuk kanë kapacitet, nuk kanë staf dhe para të mjaftueshme.

“Më shumë se 88 miliardë dollarë kosto në vit”

Këshilli Amerikan i Emigracionit, një organizatë e specializuar për këtë çështje, vlerëson se dëbimi i miliona njerëzve çdo vit do të kushtonte më shumë se 88 miliardë dollarë. Për më tepër, rreth pesë për qind e punëtorëve në SHBA thuhet se janë emigrantë pa dokumenta. Vlerësohet se ata kanë paguar rreth 100 miliardë dollarë taksa në vitin 2022. Këta janë njerëz që punojnë në fabrikat e mishit, në bujqësi, kuzhinierë, kamerierë, kujdestarë të fëmijëve, shoferë taksie, korrierë që shpërndajnë dërgesat postare.

“Pa këta persona ekonomia amerikane do të ndalej”, thotë Benitez.

“Nuk do të na ndalojnë”

Politikanët demokratë po i kërkojnë presidentit Joe Biden të krijojë pengesa para përfundimit të mandatit të tij për planet e Trampit për dëbime. Kalifornia dhe shtete të tjera të udhëhequra nga demokratët, si dhe qytete të mëdha dhe të vogla si Los Angeles dhe Maryland, kanë njoftuar se do të kundërshtojnë planet e Trumpit

Protesta nuk drejtohet kundër dëbimit të kriminelëve të dhunshëm, por kundër dëbimit që kërcënon të tjerët. I emëruari i Patrullës Kufitare Homan tha në Fox News: “Ne do të zbatojmë ligjin dhe ata nuk do të na ndalojnë.”

Dëbimet janë të zakonshme në SHBA. Barack Obama, për shembull, u quajt “kryedeportuesi” nga kritikët. Gjatë tetë viteve të tij si president, ai dëboi rreth tre milionë emigrantë të paligjshëm. Por Trump synon përmasa të tjera. Ndërsa njerëzit kanë frikë se ai mund të anashkalojë ligjin.

“Ne jemi të përgatitur”, thotë profesori dhe avokati Benitez. Dhe shton: “Do të kemi sukses, sepse jemi në anën e duhur të historisë”./DW


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…

9 orë ago
  • POLITIKE

Spaho: Vetëm një i leshtë mund të mendojë që kjo protestë nuk është e manipuluar, është komplot kundër vendit

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…

13 orë ago
  • POLITIKE

“Serbia si Rusia, ata si vendet baltike”, “Jeta e Vuçiç në rrezik”, ai shkon në Mal të zi: Do them gjithçka

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…

13 orë ago
  • KRYESORE

Katy Perry, emri i parë i madh në “Sunny Hillin” e sivjetmë

Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…

16 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, autori me të shkuar kriminale, një vit më parë tërhoqi zvarrë me kalë një person

Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…

20 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrasja e policit në Maliq/ Autori jetonte në pyll me nënën e tij, fshihte arsenal armësh në stan

Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm…

22 orë ago