POLITIKE

Turkmenistani me teste të virgjërisë vlerëson “moralin” e vajzave

Nxënëset e shkollave të mesme në provincën Balkan të Turkmenistanit po iu nënshtrohen testeve të detyrueshme të virgjërisë, që zyrtarët thonë se janë të nevojshme për të vlerësuar moralin e adoleshenteve.

Autoritetet nuk kanë marrë pëlqimin e adoleshenteve apo të prindërve të tyre për këto teste shumë kundërthënëse që po kryen nga gjinekologët, thanë për Radion Evropa e Lirë disa prindër dhe nxënëse.

Nxënëset që “dështojnë” në këtë test po raportohen te policia dhe shërbimet e sigurisë, sipas një punëtori të arsimit që është në dijeni me këtë fushatë.

“Në qytetet e Balkanabat dhe Turmenbashi, të gjitha nxënëset nga klasa e nëntë deri në të njëmbëdhjetën po detyrohen që t’iu nënshtrohen ekzaminimeve gjinekologjike. Lista e vajzave, që gjatë testimeve identifikohen se kanë pasur marrëdhënie seksuale, ndahet me departamentin lokal të policisë dhe Ministrinë e Sigurisë Kombëtare”, tha ky person për REL-in. Ai kërkoi të mbeste anonim.

Policia shpesh kontrollon telefonat mobilë të vajzave që gjenden në listë për të kërkuar informacione për partnerët e tyre të dyshuar seksualë, pretendoi një punonjës tjetër i arsimit.

“Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë shpjeguar se kjo po bëhet për të identifikuar dhe për të sjellë para drejtësisë personat që kanë pasur raporte intime me minorenet”, tha ky person që punon në kryeqytetin provincial, Balkanabat.

“Inspektime në shkallë të gjerë po kryen aktualisht në provincë”, shtoi ai.

Nxënëse në Turkmenistan. Fotografi nga arkivi.

Punëtorët e arsimit folën në kushte anonimiteti, duke u thirrur në arsye të sigurisë në shtetin e kontrolluar ashpër të Azisë Qendrore.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrtarët qeveritarë në provincën Balkan për koment, por ata nuk janë përgjigjur.

Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik se pse po kryen testet gjinekologjike, por punonjësit në Balkanabat dyshojnë se testet janë të lidhura me një rritje të raportuar të shtatzënive në mesin e adoleshenteve në këtë provincë muajve të fundit. Gjashtë raste të tilla janë regjistruar vetëm në Balkanabat, tha një nga punëtorët e arsimit.

“Ky informacion shkoi deri te Ministria e Arsimit, e cila lëshoi më pas një qortim të ashpër për kreun e departamentit lokal të arsimit në Balkan. Pas kësaj, autoritetet provinciale nisën të kryenin kontrolle në qytetet e mëdha për ‘pastërtinë morale’”, tha ai.

Kontrolli ndaj qytetarëve

Të ashtuquajturit teste të virgjërisë nuk janë të paprecedent në Turmenistan, ku Qeveria autoritare ushtron kontroll të madh ndaj jetës së qytetarëve.

Më 2018, zyrtarët policorë dhe të sigurisë shoqëruan gjinekologët që të kryenin bastisje të befasishme në shkollat në rajonin verior të Dashoguzit. Zyrtarët kontrolluan telefonat mobilë të nxënësve meshkuj, duke kërkuar video pornografike, ndërkaq nxënëset u grumbulluan për të kryer teste të virgjërisë në zyrën e infermierisë së shkollës, thanë dëshmitarët.

“Gjatë testimeve u zbulua se disa vajza nuk ishin të virgjëra dhe prindërit e tyre u thirrën nga autoritetet dhe u ofenduan në sy të të gjithëve në shkollë”, tha atëbotë për REL-in një burim që kishte njohuri për këtë ngjarje.

Sipas atij burimi nga departamenti policor në Dashoguz, testimet e vitit 2018 supozohet se ishin pjesë e përpjekjeve të Qeverisë rajonale për të luftuar prostitucionin në mesin e adoleshentëve. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këtë pretendim.

Më 2019, administrata e shkollave në provincën juglindore të Marit urdhëroi që të gjitha nxënëset nga klasa e tetë deri të njëmbëdhjetën t’iu nënshtroheshin ekzaminimeve gjinekologjike “pavarësisht nëse prindërit e tyre japin pëlqim apo jo”.

Shumë aktivistë për të drejtat e grave në mbarë botën kanë dënuar të ashtuquajturit teste të virgjërisë, duke i cilësuar absurd dhe duke kërkuar ndalimin e një praktike të sigurisë.

Shumë ekspertë shëndetësorë argumentojnë se testime të tilla nuk mund të përcaktojnë nëse një person është i virgjër sepse himeni mund të dëmtohet në mënyra të ndryshme, jo vetëm përmes marrëdhënieve seksuale. Disa gra, madje, lindin pa himen.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme, më e ulëta në pesë ciklet e fundit zgjedhore

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…

3 orë ago
  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

14 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

17 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

18 orë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

1 ditë ago
  • FOTO&VIDEO

Rama ironizon protestuesit në Zvërnec: Mos ua prishni flamingove plazhin me makina dhe kanoçe birre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi në rrjetet sociale pas protestës e cila u…

1 ditë ago