Kuvendi i Turqisë të mërkurën e ka miratuar ligjin për rregullimin e rrjeteve sociale, për të cilin kritikët thonë se do ta rrisë censurën dhe do t’i ndihmojë autoritetet për t’i shtypur pakënaqësitë.
Partia në pushtet e presidentit Erdogan, AKP, e cila e ka shumicën në kuvend në koalicion me një parti nacionaliste, ka ofruar përkrahje për këtë ligj. Kuvendi e filloi debatin për legjislacionin e ri të martën, ndërsa miratimi i ligjit u bë i ditur përmes rrjetit Twitter.
Me këtë ligj kërkohët që rrjetet e huaja sociale të caktojnë përfaqësues me bazë në Turqi për t’i adresuar shqetësimet e autoriteteve në lidhje me përmbajtjen dhe përfshin afate kohore për largimin e materialeve për të cilat ato ankohen, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Kompanitë mund të përballen me gjoba, bllokim të reklamave dhe kufizim të kapacitetit deri në 90 për qind, sipas ligjit të ri.
Pasi një shumicë e medieve kryesore është futur nën kontrollin e qeverisë gjatë dekadës së kaluar, shteti tash i ka vënë në shënjestër rrjetet sociale dhe mediet më të vogla për shkak të zërave kritikë dhe lajmeve të pavarura.
Turqia tashmë ka vënë kontroll të madh në rrjetet sociale dhe shumë prej tyre janë akuzuar për fyerje ndaj presidentit Erdogan apo ministrave të tij.